Një zhvillim i rëndësishëm politik ka ndodhur sot në Junik, ku LDK dhe PDK kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim politik dhe bashkëqeverisje për mandatin 2025–2029.
Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale Facebook, kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, e ka cilësuar këtë marrëveshje si një hap të guximshëm dhe në dobi të qytetarëve, duke theksuar se bashkimi është rruga e drejtë për interesin e Junikut.
“Sot, Juniku dëshmoi se përballë interesit të qytetarëve, bashkimi është gjithmonë rruga e drejtë! LDK dega në Junik dhe PDK dega në Junik kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim politik dhe bashkëqeverisje në mandatin 2025–2029”, ka shkruar Shehu.
Sipas marrëveshjes, kandidati i PDK-së për kryetar të Junikut është tërhequr nga gara dhe ka vendosur të mbështesë zyrtarisht kandidatin e LDK-së, Ruzhdi Shehu, për kryetar të komunës. Po ashtu, strukturat e PDK-së dhe elektorati i saj do të mobilizohen për të mbështetur kandidatin e LDK-së në zgjedhjet e 12 tetorit.
“Ky është një hap i guximshëm, por mbi të gjitha, në dobi të Junikut dhe qytetarëve. Ky bashkim është shembulli më i mirë se si politika mund të shërbejë si urë e bashkimit, jo e ndarjes”, ka theksuar Shehu.
Ai shtoi se fitorja e LDK-së është tashmë e pashmangshme dhe e vulosur, ndërsa ky bashkim përfaqëson një fitore të përbashkët për të gjithë qytetarët e Junikut.
“Të dielën e 12 tetorit, fitorja e LDK-së është madhështore dhe e pashmangshme. Mirëpo kjo nuk do të jetë vetëm fitore e LDK-së – të dielën do të fitojë Juniku, do të fitojnë të gjithë junikasit pa dallim”, u shpreh ai.
Ruzhdi Shehu falënderoi qytetarët e Junikut dhe mërgatën për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe strukturat e PDK-së për aktin e përgjegjshëm dhe të guximshëm të bashkimit. Ai theksoi se kjo është “politika e së ardhmes – bashkë për qytetarët e Junikut.”
Në fund, kandidati i LDK-së u bëri thirrje edhe kundërkandidatëve të tjerë që të bashkohen me këtë vizion, duke e cilësuar bashkimin si garanci për zhvillim, mirëqenie dhe dinjitet për Junikun.
“Të dielën, le ta vulosim këtë bashkim historik me votën tonë. Le ta çojmë Junikun drejt një fitoreje të pastër, të dinjitetshme dhe të madhe për të gjithë.
Vazhdojmë +4 pa balotazh”, ka shkruar Shehu.