Agjenda e të gjithë aktivistëve dhe anëtarëve të partive politike, me disa fushata për të kërkuar votën, gjatë muajve tetor nëntor dhe dhjetor, ka qenë shumë e ngjeshur.
Fillimisht më 9 nëntor ishin zgjedhjet lokale, pastaj balotazhi, e më pas edhe zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit që e përmbyllën këtë cikël që përpos angazhimeve solli edhe shpenzime për partitë.
Partia që korri më së shumti sukses kishte edhe më së shumti shpenzime.
Lëvizja Vetëvendosje, sipas raporteve të dorëzuara dhe të publikuara nga KQZ, për muajt, tetor, nëntor dhe dhjetor ka shpenzuar mbi 1 milion e 263 mijë euro.
Mesatarja mujore e vlerës së të gjitha pagave për punonjësit e Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë rreth 70 mijë euro, totali gati 220 mijë euro.
Pjesa dërmuese e shpenzimeve, për tre muajt e fundit të këtij viti, mbi 1 milionë euro janë për kategorinë “mallra dhe shërbime si dhe për shpenzime të udhëtimit”.
Parti Demokratike e Kosovës me pak mbi 280 mijë euro, për këta tre muaj, ka shpenzuar katër fish më pak sesa Lëvizja Vetëvendosje. Gati gjysma e totalit, u shpenzua për paga, rreth 120 mijë euro, për udhëtime, mëditje dhe akomodime mbi 65 mijë euro.
Një dallim që bie në sy krahasuar me Lëvizjen Vetëvendosje është vlera shumë e ulët të cilën PDK, thotë se e ka shpenzuar për marketing.
Për këtë kategori PDK i ka raportuar gati 22 mijë euro shpenzime, ndërkaq tek kategoria të ndryshme pa e specifikuar për çka janë raportuar mbi 91 mijë euro shpenzime.
Për dallim me partinë e parë e cila nuk i ka raportuar donacionet, PDK për këtë periudhë i ka renditur emrat e 20 donatorëve, për të cilët ka raportuar se i kanë dhënë mbi 35 mijë euro para donacione ose kontribute me para të gatshme.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpenzime afërisht të ngjashme, gati 225 mijë euro.
Kështu, për tre muajt e fundit të 2025-s ka shpenzuar gati 105 mijë euro, për qira mbi 18 mijë euro, ndërkaq për marketing gati 50 mijë euro.
Sa i përket raportit të LDK-së pjesën e fundit e zënë emrat e 4 donatorëve, të cilët për këta tre muaj kanë dhuruar 12 mijë euro para të gatshme.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përmbyllë topkatërshen e partive më të mëdha parlamentare, me pak mbi 70 mijë euro shpenzime. Prej tyre, më së shumti kanë shkuar për paga 29 mijë, kurse 25 mijë euro janë raportuar tek shpenzime pa kategori.
As AAK-ja nuk ka raportuar ndonjë donacion.
Bazuar në nenin 15 të ligjit “PЁR FINANCIMIN E SUBJEKTEVE POLITIKE”, partitë politike nuk obligohen që për çdo tre muaj t’i raportojnë donatorët, por këtë e kanë obligative ta kryjenë në raportin vjetor i cili duhet të dorëzohet më së largu më 1 mars.