San Paolo Albanese, komuna arbëreshe që sfidon shpopullimin: kryebashkiaku i bën thirrje Melonit

Në San Paolo Albanese, komuna më e vogël e rajonit të Bazilikatës me vetëm 204 banorë, pasojat e shpopullimit dhe mungesës së shërbimeve po ndihen gjithnjë e më shumë. Megjithatë, kryebashkiaku Mosè Antonio Troiano nuk dorëzohet dhe ka dalë hapur kundër planit të ri strategjik kombëtar për zonat e brendshme.

“Jemi tërësisht të braktisur”, deklaroi ai për agjencinë “ANSA”, duke i bërë thirrje kryeministres Giorgia Meloni që të vizitojë nga afër realitetin e këtij komuniteti.

“E ftoj të vijë tek ne për të prekur me dorë vështirësitë e komunave të vogla të zonave të brendshme”, u shpreh Troiano.

San Paolo Albanese, i ngritur nga arbëreshët në vitin 1534 dhe i vendosur në Val Sarmento, 843 metra mbi nivelin e detit, është një qendër ku ende ruhen gjallë traditat arbëreshe, gjuha, ritet fetare greko-bizantine dhe festat popullore.

Kryebashkiaku kritikoi ashpër dokumentin strategjik, i cili sipas tij përmban një frazë të papranueshme: “Dokumenti thotë se rënia kronike e popullsisë është e pakthyeshme, ndaj duhet ta shoqërojmë atë në mënyrë dinjitoze drejt fundit.”

“Një zgjedhje e tillë nuk mund të pranohet”, theksoi Troiano, duke shtuar se ftesa e tij nuk vlen vetëm për kryeministren, por edhe për ministrat e qeverisë.

“Të vijnë të na vizitojnë, të prekin nga afër vlerat e këtij komuniteti dhe vështirësitë që përjetojmë, e mbi të gjitha të japin një sinjal shprese për gjeneratat e reja”, përfundoi ai.

Të fundit nga rubrika