Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se Samiti i Berlinit i cili po mbahet në Tiranë, është momentum i duhur për tejkalimin e konflikteve në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Nga Tirana, Scholz u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura përmes Dialogut.
“Jo shumë larg nesh po ndodh me agresionin e Hamasit kundër Izraelit. Dhe të gjitha pasojat që ka dhe do të mund të ketë. Dhe po, edhe krizat e shumta këtu në Rajon në Ballkanin Perëndimor kane theksuar nevojën urgjente për të punuar më fort së bashku për të tejkaluar antagonizmat, ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet, të cilat kanë vijuar për shumë gjatë dhe që në fakt ju kanë mbajtur dhe ju mbajnë në vend numëro. Pra, këto përshkallëzime të fundit veri të Kosovës kanë vërtetuar sa e rëndësishme është kjo, ne duhet të përfundojmë, pra zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur me anën e dialogut të normalizimit të ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka thënë Scholz.
Kancelari gjerman është shprehur i kënaqur që ky Samit po mbahet në një vend të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se qëllimi i tyre është integrimi evropian.
“Dhe i kënaqur që ky samit po mbahet në një vend të Ballkanit Perëndimor, dhe është sinjal i fortë dhe thekson pronësinë që ka rajoni në këtë proces. Ne duhet të përqendrohemi në këtë rast te objektivi që kanë të gjitha shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, dhe ky qëllim është integrimi përbrenda rajonit dhe ecuria dhe rrugëtimi drejt BE-së”, ka shtuar Scholz.