Një qytetar serb është shoqëruar nga Policia e Kosovës të shtunën, gjatë festimeve të Vidovdanit në Gazimestan. Ai mbante veshur një bluzë me fotografinë e kryetarit të partisë “Demokracia Serbe”, Aleksandar Arsenijeviq.
Pas këtij veprimi, vetë Arsenijeviq reagoi përmes një postimi në Facebook, ku pretendoi se personi në fjalë, Stefan Velkoviq, ishte arrestuar.
Ai ironizoi gjithashtu duke shkruar se, sipas tij, në Kosovë e pret një “gjykim i drejtë dhe i paanshëm”, duke shtuar se “nuk ka fund kjo urrejtje”.
Aleksandar Arsenijeviq aktualisht është në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi në pronën e tij në fshatin Vallaq të Zveçanit, ditë më parë ishte zbuluar një arsenal armësh.
KOHA ka kontaktuar me Policinë për të mësuar më shumë rreth shoqërimit të Velkoviqit. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.