Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se vendi i tij ka blerë raketa balistike supersonike CM-400 nga Kina, duke theksuar se Serbia tashmë posedon një numër të konsiderueshëm të këtyre armëve dhe planifikon të ketë edhe më shumë në të ardhmen.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiq deklaroi se raketat kineze janë integruar me sukses në avionët luftarakë rusë MiG‑29 që përdoren nga Forcat e Armatosura të Serbisë.
Ai theksoi se bëhet fjalë për armë me fuqi të madhe shkatërruese dhe me rreze veprimi nga 200 deri në 400 kilometra.
I pyetur për koston e raketave, ai nuk dha shifra konkrete, por theksoi se bëhet fjalë për armë shumë të shtrenjta.
“Raketat janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”, deklaroi ai.
Blerja e këtyre armëve ka nxitur reagime në rajon. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, tha se Zagrebi do të diskutojë këtë çështje me aleatët e tij në NATO. Ai theksoi se armë të tilla përbëjnë një risi në arsenalin e ushtrisë serbe, megjithëse shtoi se nuk pret që ato të përdoren kundër vendeve fqinje si Kroacia apo ndonjë shtet tjetër.
Serbia, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni, ka vazhduar të zgjerojë bashkëpunimin ushtarak me Kinën.
Duke reaguar ndaj deklaratës së Plenkoviqit, Vuçiq tha se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”. Ai shtoi se vendi i tij po përgatitet për mundësinë e një sulmi nga një aleancë që, sipas tij, po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi.
Vuçiq gjithashtu përmendi se gjatë një vizite në Indi në mes të shkurtit, Plenkoviq e kishte siguruar se bashkëpunimi ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë. Megjithatë, ai pranoi se ende ka “një dozë shqetësimi dhe frike”.
Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e kanë cilësuar si kërcënim për sigurinë e Serbisë.