Serbia po përgatitet të zgjasë operacionet e spiunazhit kundër Kosovës, duke rritur buxhetin e Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë (BIA) për vitin 2026 në rreth 89 milionë euro, niveli më i lartë në disa vite.
Fondet synojnë forcimin e infrastrukturës operative dhe kapaciteteve teknologjike, përfshirë edhe infiltrimin e spiunëve.
Kjo rritje vjen ndërsa në Kosovë janë shtuar arrestimet për spiunazh në favor të Serbisë gjatë tre viteve të fundit. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se BIA përballet me probleme të brendshme, përfshirë korrupsion dhe dobësi operative, ndërsa një pjesë e saj është e angazhuar në çështje të brendshme politike.
Institucionet e sigurisë së Kosovës, veçanërisht AKI, kanë pasur sukses në neutralizimin e rrjeteve të spiunazhit, duke arrestuar persona të dyshuar dhe penguar infiltrime.
Si pasojë, rritja e buxhetit të BIA-s nuk pritet të ndikojë ndjeshëm në sigurinë e Kosovës.
Këtë vit u shpall i dënuar për herë të parë një person për spiunazh që nga shpallja e Pavarësisë, Alleksandar Vllajiq, ndërsa janë ngritur katër aktakuza të tjera.
Përveç aktiviteteve të spiunazhit jashtë vendit, pjesa më e madhe e rritjes së buxhetit të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë (BIA) është përqendruar në pajisje dhe teknologji të avancuara survejimi. Këto përfshijnë pajisje për ndjekje të komunikimeve, platforma të analizës së të dhënave dhe softuer për monitorim masiv, të cilat mediave serbe u raportohet se përdoren shpesh edhe për qëllime politike brenda vendit.
Raportime nga media të pavarura dhe organizata ndërkombëtare tregojnë se BIA ka përdorur këto teknologji për të monitoruar gjyqtarë, prokurorë dhe figura kritike ndaj regjimit të Aleksandar Vuciqit.
Gjatë protestave kundër qeverisë, aktivistë dhe organizata të shoqërisë civile kanë denoncuar përgjime telefonike, ndërhyrje në llogari sociale dhe monitorim të lëvizjeve në terren.
Sipas raportimeve, BIA ka importuar pajisje për monitorim digjital, të pajisura më pas me softuer për ndjekje në kohë reale.
Për shembull, softueri izraelit ‘Cellebrite’ u përdor për të zhbllokuar telefonat, ndërsa spyware-i ‘NoviSpy’ u instaluar për të dhënë qasje të plotë në kontaktet, fotografitë, mesazhet dhe aktivitetet e përdoruesve.
Ky spyware mund të aktivizojë mikrofonin dhe kamerën nga distanca, duke e kthyer çdo pajisje të monitoruar në një instrument të plotë survejimi.