Janë 6 pikë kalime kufitare me Serbinë.
Por, vija ndarëse mes dy shteteve prej gati 400 kilometrash, e bënë të vështirë kontrollimin e plotë, dhe rrjedhimisht edhe kalimet ilegale.
Dhe kjo, nuk është lënë pa u shfrytëzuar ndër vite, nga persona të kërkuar nga drejtësia në Kosovë.
Në arrati nga Kosova, aktualisht janë disa persona, të kërkuar edhe me urdhërarreste ndërkombëtare.
Dhe një vend ku të njëjtit mund të jenë fshehur, po vlerësohet të jetë Serbia meqë ky shtet nuk ka asnjë lloj bashkpunimi juridik me Kosovën.
“Shpesh herë në kufi me Serbinë e shfrytëzojnë rastin që të kalojnë në Serbi, pasi që Kosova nuk ka marrdhënie bilaterale me Serbinë nuk na kanë njoft as ne nuk i kemi njoftë, andaj është vështirë që me shtetet që nuk ke marrdhënie bilaterale të bëhet ekstradimi i personave të tillë, nuk besoj që Serbia e merr një hap të tillë që të ekstradojë persona të tillë”, ka thënë Refki Morina – Ish shef i krimeve të rënda në Polici.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, do duhej të kishte presion nga ndërkombëtarët që Serbia të mos bëhet strehë e kriminelëve të kërkuar nga institucionet e Kosovës.
“Kjo gjendje nuk është që është duke ndodhur se voni vetëm tani, por kjo ka ndodhur prej vitit 1999 e me theks të veçantë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në 2008, IKD në vazhdimësi ka potencuar se institucionet e republikës së Kosovës do të duhej që të kishin raporte të ngushta me ndërkombëtarët që njëfarë mënyre kërkesat e Kosovës të dëgjohen dhe ti kërkoj Serbisë që të e ndalojë këtë qasje”, ka thënë Ehat Miftaraj – Drejtor në IKD.
Policia e Kosovës, nuk ka treguar për numrin e personave që aktualisht janë duke u kërkuar, duke thënë se duhet të i referohemi postimeve që ky institucion publikon në Facebook dhe në Web faqen e tyre.
Ndërkohë që nga muaji maj i 2024, Enver Sekiraqa i dënuar nga shkalla e parë me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, është në kërkim nga organet e drejtësisë.
I dënuar me 10 vjet burgim, për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanovqi, është edhe Marko Roshiq, që po ashtu vazhdon të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë.
Së fundmi Policia e Kosovës, ka lëshuar urdhërarrest edhe për Mefail Shkodrën dhe dy djemtë e tij Edonis e Engjull Shkodra të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
Edhe Xhemajl Nuhiu është duke u kërkuar për vrasjen që ndodhi ditë më parë në Prishtinë.
Ditë më parë, nga Burgu i Mitrovicës, arriti të arratisej Dorde Radomiroviq, i dënuar për vrasje.
Në vitin e kaluar, Faton Hajrizi, pasi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës, kishte mbërritur në Serbi, ku u vra nga autoritetet serbe pas një kërkimi intenziv, meqë kishte marrë pjesë paraprakisht në vrasjen e një polici dhe kishte plagosur një tjetër, në Loznicë të Serbisë.