Për herë të dytë në shtatë ditë, Operatori i Sistemit Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, njoftoi për aplikim të reduktimeve në furnizimin me rrymë.
Kjo si pasojë e devijimeve të shkaktuara nga shpërputhjet ndërmjet sasisë së nominuar të energjisë elektrike nga kompania për furnizim KESCO dhe kërkesës për konsum.
“KOSTT po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme në balancimin e sistemit në kohë reale, si pasojë e devijimeve të mëdha ndërmjet energjisë së nominuar dhe kërkesës reale. Sot, më 20.01.2025, KESCO ka nominuar rreth 26.17% më pak energji sesa kërkesa reale, duke e çuar Zonën e Kontrollit KOSTT në jo balanca mesatare prej rreth 211 MË orë, ndërsa në disa orë këto jo balanca tejkalojnë 260 MË orë. Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”.
KESCO nuk u përgjigj në pyetjet e televizionit për gabimin në nominim, e as lidhur me pasojat eventuale nga jo-balancat e shkaktuara në raport me rrjetin evropian.
Megjithatë, në një kumtesë kjo kompani u arsyetua me “temperaturat e ulëta dhe rritjen e konsumit”, teksa kërkoi nga qytetarët që të kursejnë energjinë.
“Temperaturat e ulëta dhe përdorimi i shtuar i energjisë elektrike për ngrohje kanë ndikuar në rritje të theksuar të konsumit. Në periudhat kur prodhimi vendor mbetet i ulët, nevoja për import të energjisë elektrike rritet ndjeshëm. Megjithatë, mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment”.
Krahas ndikimit të rënies dhe ndaljes së njësive prodhuese të termocentraleve, eksperti i energjisë Adhurim Haxhimusa përmendi edhe përgjegjësinë e KESCO-s në raport me sigurimin e energjisë nëpërmjet importit.
“Nëse KESCO ka vështirësi të importit, të sasisë së nevojshme për të siguruar furnizim stabil me energji elektrike, atëherë ajo duhet të komunikojë, të jetë shumë transparente, t’i komunikoj arsyet pse ka ardhë deri te kjo? A është për shkak të monopoleve që i kemi në linjën e tregtarëve apo është për shkak të rregullave të cilat janë të përcaktuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji, sepse për sasinë e importit ajo duhet të marrë leje nga ZRRE-ja”, ka thënë Haxhimusa.
Jo-balancat, në këtë rast si pasojë e gabimeve, sipas ekspertit të energjisë Arven Syla paraqesin problem jo vetëm brenda vendit, por edhe për rrjetin rajonal dhe evropian.
“Imbalancat që po krijohen nga sistemi elektro-energjetik i Kosovës nuk paraqesin vetëm problem nacional, por janë shqetësim eventual për rajonin dhe me gjerë. Reduktimet (apo load-shedding) nga KOSTT janë masë emergjente, konform me përgjegjesitë e saj, për të garantuar operim të sigurt të sistemit elekro-energjetik. Afatshkurt nuk pritet që këto situata të kenë implikime të drejtpërdrejta në raportet ndërmjet ENTSO-e dhe KOSTT, por nëse përsëriten, mund të rritet presioni teknik dhe dobësohet reputacioni institucional i Kosovës në procesin e integrimit ne sistemin elektro-energjetik europian”, ka thënë Syla.
“Situatë me interes të lartë dhe me implikime të drejtpërdrejta për sigurinë energjetike të vendit”, i kishte cilësuar Zyra e Rregullatorit për Energji jo-balancat e shkaktuara javën e kaluar, teksa kishte paralajmëruar “ndërmarrjen e masave të parashikuara me legjislacionin në fuqi”.
Por, ZRRE-ja nuk u përgjigj në pyetjet e televizionit për situatën e përsëritur, e cila ndikon negativisht në raport obligimet ndërkombëtare të KOSTT-it, respektivisht Marrëveshjen e Kyçjes me ENTSO-E.
