Shefi i ushtrisë së Libisë ka humbur jetën në një aksident ajror, teksa po kthehej në atdhe pas një vizite zyrtare në Turqi, njoftoi të martën kryeministri libian.
“Gjenerallejtënant Mohamed Al-Haddad vdiq së bashku me katër persona të tjerë në një “aksident tragjik” gjatë fluturimit nga Ankaraja drejt Tripolit, thuhet në deklaratën e kryeministrit Abdulhamid al-Dbeibah, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
“Me pikëllim dhe dhimbje të thellë kemi marrë lajmin për vdekjen” e Al-Haddadit dhe katër shoqëruesve të tij, shtoi al-Dbeibah.
Kryeministri, i cili drejton Qeverinë e Unitetit Kombëtar të mbështetur nga OKB-ja, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, duke e cilësuar humbjen si një tragjedi për kombin dhe institucionin ushtarak.
Autoritetet turke kishin njoftuar më herët se kishin humbur kontaktin me një avion privat të tipit Falcon 50, i cili po transportonte Al-Haddadin dhe shoqëruesit e tij, pak pasi ishte nisur nga aeroporti Esenboğa i Ankarasë të martën në mbrëmje.
Sipas ministrit të Brendshëm të Turqisë, Ali Yerlikaya, avioni kishte dërguar një sinjal emergjence për ulje pranë Haymana-s, rreth 81 kilometra në jugperëndim të Ankarasë, por “kontakti me avionin nuk u rivendos më”.
Kreu i Drejtorisë së Komunikimit të Turqisë, Burhanettin Duran, deklaroi në rrjetin X se avioni kishte kërkuar ulje emergjente për shkak të “një defekti elektrik”.
Yerlikaya bëri të ditur se regjistruesi i zërit dhe kutia e zezë e avionit u gjetën të mërkurën në mëngjes. Forcat ushtarake turke arritën në vendin e rrëzimit, pak më shumë se dy kilometra në jug të fshatit Kesikkavak, në distriktin Haymana.
Kryeministri libian identifikoi katër viktimat e tjera si: Shefin e Shtabit të Forcave Tokësore, gjeneralmajor Al-Fitouri Ghreibel; Drejtorin e Autoritetit të Industrisë Ushtarake, gjeneralbrigade Mahmoud Al-Qatioui; këshilltarin e shefit të shtabit të ushtrisë libiane, Mohamed Al-Asawi Diab; si dhe fotografin e zyrës së medias, Mohamed Omar Ahmed Mahjoub.
Ministri turk i Drejtësisë, Yilmaz Tunc, njoftoi se është hapur një hetim për aksidentin, i cili do të shqyrtojë “të gjitha aspektet me kujdes maksimal”.
Më herët të martën, Forcat e Armatosura Turke kishin bërë të ditur se Al-Haddad ishte pritur zyrtarisht në Ankara me ceremoni ushtarake si mysafir shtetëror dhe kishte zhvilluar bisedime dypalëshe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjeneral Selçuk Bayraktaroğlu.