Shefja e stafit të kabinetit të Presidentes, Learta Hollaj, ka reaguar ndaj deklarimeve të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit.
Në një postim në Facebook, Hollaj ka thënë se presidentes Vjosa Osmani nuk i është ofruar asnjë votë për rizgjedhje dhe se VV-ja po e përdor procesin vetëm për formalitet.
“Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Pra Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër nmënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla”, ka shkruar Hollaj.