Ruzhdi Shehu, kryetari i Junikut dhe njëherësh kandidat i LDK-së për mandatin e ardhshëm në zgjedhjet lokale, ka bërë thirrje për mobilizim të mërgatës junikase, duke theksuar rolin vendimtar që ata kanë pasur edhe në zgjedhjet e kaluara.
“Mërgata e dashur e Junikut, fitorja jonë është në duart tuaja! Në zgjedhjet e kaluara, ju e vulosët fitoren tonë. Sot, edhe një herë, po ju drejtohemi me dorë në zemër: na duhen vetëm 30 minuta nga koha juaj, për të na dhënë edhe 4 vite së bashku, drejt zhvillimit të Junikut”, ka shkruar Shehu në Facebook.
Ai tha se qeverisja e tij është udhëhequr me ndershmëri, përkushtim dhe duar të pastra, duke i shërbyer çdo qytetari pa dallim.
Shehu paralajmëroi se pa angazhimin e mërgatës, projektet e nisura mund të mbesin përgjysmë dhe fitorja të vihet në rrezik.
“Pa ju, fitorja nuk është e sigurt. Pa ju, projektet tona që i kemi filluar së bashku mund të mbesin në gjysmë. Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithëve – çdo qytetari të Junikut që jeton jashtë vendit – aplikoni për të votuar!”, ka apeluar Shehu.
Ai shprehu bindjen se me përkrahjen e mërgatës, LDK-ja në Junik mund të fitojë zgjedhjet që në raundin e parë, pa balotazh.
👉 Afati i fundit për aplikim është 29 gusht.
🔗 Aplikimi bëhet online, vetëm me lejeqëndrim, një fotografi personale dhe një faturë me adresën e banimit: Apliko këtu.