Kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të ri në krye të Komunës së Junikut nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu, ka njoftuar për përfundimin e dy projekteve që lidhen me zhvillimin e zonës bjeshkore të Gjeravicës — rrugën e bjeshkës dhe Master-Planin për zhvillimin e saj.
Shehu bëri të ditur se tashmë pritet të fillojë një investim prej rreth gjysmë milioni euro për shtrirjen e rrjetit të energjisë elektrike në bjeshkë, hap që synon të krijojë parakushtet për zhvillimin e turizmit malor dhe ekonomisë lokale.
“Të dashur junikas,
Rrugën e bjeshkës e përfunduam. Po ashtu edhe Master-Plani për bjeshkët është përfunduar. Tani me radhë do të investojmë rreth gjysmë milion euro për shtrirjen e rrjetit të energjisë elektrike për në bjeshkë. Në këtë mënyrë po krijohen parakushtet për zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi përmes bjeshkëve të Gjeravicës.
Kur jemi te elektrifikimi, në mandatin e parë kemi vendosur ndriçimin SMART për herë të parë në Junik. Ndërsa në mandatin e dytë do të investojmë edhe mbi 200,000.00 euro të tjera për të kompletuar ndriçimin SMART në të gjitha lagjet e mbetura të Junikut.
Urime Junik. Vazhdojmë +4 pa balotazh”, ka shkruar Shehu në Facebook.