Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka bërë thirrje publike për mobilizim të mërgatës junikase, duke e cilësuar atë si “gjysmën e zemrës dhe shtyllën kryesore të Junikut”.
Në një postim në Facebook, Shehu falënderoi mërgatën për përkrahjen në rundin e parë të zgjedhjeve dhe theksoi se për shkak të një diference prej vetëm 30 deri në 40 vota, fitorja nuk u arrit që në raundin e parë.
“E dashur mërgatë e Junikut,
Ju jeni jo vetëm gjysma e zemrës sonë, por edhe shtylla kryesore e Junikut. Si gjithmonë, Juniku edhe këtë herë ka nevojë për kontributin tuaj.
Ju faleminderit nga zemra për përkrahjen tuaj kaq të madhe në rundin e parë të zgjedhjeve. Fatkeqësisht, për shkak të 30–40 votave, fitorja jonë e përbashkët nuk arriti të kurorëzohet në rundin e parë, dhe më 9 nëntor në Junik do të mbahet balotazhi.
KQZ-ja tashmë ka filluar me shpërndarjen e fletëve të votimit, të cilat ju jeni duke i pranuar në adresat tuaja të banimit. Sipas informacioneve nga terreni, deri më tani janë përfunduar dhe janë dorëzuar në postë rreth 500 zarfa me vota për LDK-në.
Gjatë dy ditëve në vijim (nesër dhe pasnesër), të gjithë bashkëvendasit tjerë që jetojnë në mërgatë do të pranojnë po ashtu fletëvotimet në adresat e tyre të banimit.
Fitorja jonë më 9 nëntor do të jetë një ngjarje historike dhe spektakolare. Mirëpo, madhështia e fitores sonë jeni pikërisht ju mërgata jonë e dashur. Prandaj, ju lutemi të gjithëve që të merrni pjesë në këto votime.
Me rastin e plotësimit të fletëvotimit dhe dorëzimit të zarfit në postë, ju lusim që të respektoni në përpikmëri udhëzimet nga KQZ-ja për mënyrën e votimit, sikurse në foton e bashkëngjitur me këtë postim. Në këtë mënyrë do të siguroheni që vota juaj të numërohet dhe të mos shpallet e pavlefshme.
Në fund, por jo për nga rëndësia: eksponentë të AAK-së në Junik kanë udhëtuar nga Juniku për në Gjermani dhe Zvicër. Sipas informacioneve tona, të njëjtit janë duke shqetësuar bashkëmërgimtarët tanë përmes formave të ndryshme të shantazhit, kërcënimit, tentimeve për blerje të votës dhe formave të tjera jodemokratike e joligjore.
Natyrisht, LDK-ja në Junik është duke mbledhur të gjitha informacionet dhe provat e nevojshme dhe së shpejti do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të adresuar këto dukuri të kundërligjshme.
Ndërkohë, ju lutemi në mënyrën më të sinqertë që të ruani qetësinë dhe besimin në institucionet tona të drejtësisë. Junikasit nuk shantazhohen, nuk blehen, nuk shiten, nuk frikësohen dhe nuk mashtrohen.
Juniku do të udhëhiqet vetëm nga junikasit dhe mërgata jonë e dashur. Dera që të tjerët e kanë hapur me shqelma dhe për 12 vite e kanë sunduar Junikun për interesat e tyre personale, është mbyllur njëherë e përgjithmonë.
Për Junikun e nderit dhe duarve të pastra.
Për Junikun e mërgatës dhe për mërgatën e Junikut”, ka shkruar Shehu.
