Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka bërë të ditur se gjatë mandatit të tij të parë, Komuna e Junikut ka falur borxhet e bizneseve, që nga viti 2008 deri më sot, me një vlerë totale rreth 81,000 euro.
Vetëm për vitin 2025, borxhet kanë qenë mbi 15,000 euro.
Shehu ka njoftuar se nga tani e tutje, të gjitha bizneset në Junik janë të liruara nga taksa komunale për ushtrimin e veprimtarisë së tyre, duke treguar përkrahjen konkrete ndaj sektorit të biznesit.
Ai gjithashtu ka kritikuar partitë e tjera që, sipas tij, tentojnë të joshin bizneset me interesa personale gjatë fushatës.
“Po ashtu është marrë vendim që nga tani e tutje, të gjitha bizneset në Komunën e Junikut janë të liruara nga taksa komunale për ushtrimin e veprimtarisë së tyre. Pra edhe janë falur borxhet edhe është larguar taksa. Kur themi që ne i përkrahim bizneset, nuk themi vetëm fjalë boshe por e dëshmojmë me vendime të cilat drejtpërdrejtë e lehtësojnë jetën e bizneseve të Junikut. Të tjerët, vijnë dhe organizojnë një darkë në kohë të fushatës me biznese duke tentuar që të joshin ato me interesa të ngushta personale. Mirëpo bizneset e Junikut kanë dinjitet, nuk shiten, nuk blihen dhe as nuk mashtrohen”, ka shkruar Shehu në Facebook.
“Fitorja e listës fituese të LDK është e pashmangshme. Të dielën, bizneset do të jenë pjesë e festës tonë të madhe të fitore. Vazhdojmë +4 pa balotazh”.