Një incident ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugën “28 Nëntori” në Han të Elezit, ku një mur mbrojtës është shembur dhe ka rënë mbi një veturë pasagjerësh, duke lënduar shoferin.
Rastin për Dukagjinin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka bërë të ditur se policia ka pranuar informatën rreth orës 20:45.
“Rreth orës 20:45, kemi pranuar një informatë se në rrugën “28 Nëntori” në Han të Elezit, një mur mbrojtës ishte shembur dhe kishte rënë mbi një veturë pasagjerësh. Në veturë ndodhej vetëm shoferi. Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e Emergjencës dhe njësia e Zjarrfikësve nga Hani i Elezit, të cilët kanë filluar ndërhyrjen për nxjerrjen e personit të bllokuar në veturë. Shoferi ka qenë me vetëdije, por i ngujuar brenda veturës”, ka thënë Veseli.
Veseli, mes tjerash, bëri të ditur se shoferi është nxjerrë nga vetura dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 22:00, nga njësia e zjarrfikësve personi është nxjerrë nga vetura, i cili kishte pësuar lëndime trupore, por ka qenë me vetëdije dhe nga njësia emergjente është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Hanit të Elezit”, ka thënë Veseli.