Radio Dukagjini dhe emisioni Radar lansojnë më 25 janar një seri të re dokumentare–rrëfyese.
“Mes katër muresh”, nën moderimin e Edita Doli, fillon transmetimin javor, ku trajtohen tema të lidhura me shëndetin mendor dhe mirëqenien emocionale, duke ofruar një hapësirë të rëndësishme publike për diskutim të hapur dhe profesional mbi këtë fushë ende të stigmatizuar në shoqërinë tonë.
Çdo episod sjell rrëfime të sinqerta të individëve që ndajnë përvojat e tyre personale në përballje me ankthin, depresionin, traumën dhe vështirësi të tjera emocionale.
Gjatë rrëfimit është gjithmonë e pranishme edhe një specialiste e shëndetit mendor, psikiatër, e cila ofron analizë profesionale dhe këshilla për trajtimin e situatave të ngjashme, duke e bërë emisionin një kombinim të rrëfimit njerëzor dhe qasjes terapeutike.
“Qëllimi kryesor i “Mes katër muresh” është rritja e ndërgjegjësimit shoqëror për shëndetin mendor, thyerja e tabuve dhe nxitja e kërkimit të ndihmës profesionale. Përmes këtij formati, synohet kontributi në zhvillimin e një kulture të re të mirëkuptimit, pranimit dhe mbështetjes ndaj personave që përballen me vështirësi të natyrës psikologjike”, thotë Edita Doli.
Seria e re e emisioneve do të transmetohet çdo të diel, nga 25 janar, në orën 20:00, në kanalin e Radio Dukagjinit edhe në youtube e edhe ne kanalin e emisionit RADAR në rrjete sociale.