Shpallet qytetar nderi në Skënderaj, Vaughan Smith: Kur ju shoh juve, shoh Adem Jasharin në shpirtin tuaj dhe kombin që e keni ndërtuar

Në 26-vjetorin e Ditës së Çlirimit, më 18.06.2025, kryetari i Skënderajt, Fadil Nura, e shpalli “Qytetar Nderi” të Skenderajt, gazetarin dhe kameramanin britanik, Vaughan Smith.

Kryetari Fadil Nura u shpreh se po nderohen njerëz që kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive përmes kontributit të tyre. 

“E sotmja është ditë e veçantë për qytetin tonë, nuk jemi mbledhur vetëm për çmim, por për të kujtuar e nderuar dy njerëz që kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive. Për njerëz që pa ndonjë kompensim kanë bërë nder me punë të jashtëzakonshme. Krenari që krahas shumë figurave që kanë dhënë kontribut të madh për çështjen kombëtare sot kemi dy qytetarë të rinj, Vaughan Smith dhe Benito Mares”

“Zoti Smith përmes pamjeve tua bota pa krimin që po ndodhte këtu dhe panë një pjesë të historisë sonë”- shtoi tutje ai.

Titulli “Qytetar Nderi” iu nda video-gazetarit britanik Vaughan Smith në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e dhënë në pasqyrimin e realitetit dhe sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për luftën e popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe pavarësi, si: pasqyrimin e Epopesë së UÇK-së në Prekaz, më 5, 6 dhe 07.03.1998, Masakrës së Abrisë, filmimin e intervistës me heroin Fehmi Ladrovci, incizimin e parashutistëve britanikë gjatë ndërhyrjes se NATO-s në Kosovë, si dhe realizimin e filmit të njohur për luftën e Kosovës, i titulluar “The Valley”, i cili mbetet një ndër dokumentarët me të vlerësuar

“Isha i privilegjuar të jem dëshmitar i asaj që ndodhi këtu, ajo që kam parë ka lënë gjurmë të pashleyshme në kujtesën time. Njerëzit këtu kanë treguar shkallë të inkurajimit e sakrificës për këtë vend, sakrifica e familjes Jashari ne Prekaz nuk ishte vetëm tragjike, por edhe transformuese. Kur vij dhe ju shoh juve, shoh edhe Adem Jasharin në shpirtin tuaj dhe kombin që e keni ndërtuar me sakrifica”- tha Smith më 18.06.2025. 

Gjatë ceremonisë u transmetua edhe një pjesë e intervistës që Smith kishte dhënë për ‘Kallxo Përnime’ lidhur me raportimin e tij nga Kosova.

Titulli “Qytetar Nderi” iu nda edhe Benito Mares, po ashtu për kontributin e dhënë për sensibilizim të opinionit për ngjarjen në Kosovë, por edhe si ideues e financues i kompleksit të dëshmorëve të UÇK-së në Marinë dhe promovim të vlerave të kësaj ushtrie.

Gjatë viteve 1990, Vaughan punoi si kameraman i pavarur i vlerësuar me çmime dhe gazetar video- lajmesh duke mbuluar luftërat dhe konfliktet në Irak, Afganistan, Bosnje, Çeçeni, Kosovë dhe gjetkë.

Vetura të cilën Vaughan Smith e përdori kur raportoi për ngjarjet gjatë luftës në Kosovë është pjesë e ekspozitës “Reporting House” në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë.

E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita “Reporting House” apo “Shtëpia e gazetarëve” prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Ekspozita e REPORTING HOUSE u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008. Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie. Publiku ftohet që ta kuptojë më tej historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, ndërsa ekspozita është e hapur për bashkëpunim për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV, NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll) dhe Frontline Television News. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to./KALLXO.COM

Shija e redaktorit

Komuna e Pejës nderon disa figura në ditën e çlirimit,...

Qyteti i Pejës të hënën e ka shënuar ditën e çlirimit ku Komuna është përkujdesur që qytetarëve t’iu ofrojë aktivitete të ndryshme. Dita nisi me...

Dita e dytë e Grupit “EEPG” në Pejë, flitet për...

Dita e dytë në hotelin “Dukagjini” në Pejë ku janë mbledhur botues dhe ekspertë të fushës së arsimit nga vende të ndryshme të Evropës,...

BOTUESIT EVROPIANË NË KOSOVË: “DUKAGJINI” DHE EEPG-JA ME DISKUTIM SHKENCOR...

Grupi i Botuesve Evropianë për Arsim (EEPG), në bashkëpunim me shtëpinë botuese "Dukagjini", po organizon eventin: "TEACHING TOGETHER: EMPOWERING EDUCATORS AND ELEVATING PUBLISHER'S ROLE...

Të fundit nga rubrika