Shpërndahet Kuvendi, zgjedhjet e parakohshme nacionale më 28 dhjetor

28 dhjetori është data të cilën presidentja, Vjosa Osmani e ka caktuar për datë të zgjedhjeve të parakohshme nacionale. Në konferencën për media pas takimit me liderët e partive politike, Presidentja tha se e ka përzgjedhur këtë datë për shkak të shumë çështjeve e jo për shkak të preferencave të Lëvizjes Vetëvendosje.

Nga takimi me liderët e partive politike Presidentja doli në konferencë për shtyp me lajmin se nuk ka arritur t’i bind për vazhdimin e seancës së djeshme për zgjatje buxhetore deri në muajin mars, marrëveshjet ndërkombëtare, dhe çështje si buxhetet e komunave dhe atë të RTK-së.

Meqenëse u shterën mundësitë, Vjosa Osmani pasi me dekret e shpërndau legjislaturën e IX të Kuvendit, e dha lajmin se ka vendosur që zgjedhjet nacionale të mbahen më 28 dhjetor.

Kjo datë, ishte e preferuara e Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve të saj, ndërsa data 21 dhjetor  që u kërkuar nga ish-blloku opozitar, nuk ia mbushi syrin presidentes.Sipas Osmanit, janari u hoq si mundësi meqë ishte jashtë afateve kushtetuese por edhe kufizimeve buxhetore të KQZ  dhe angazhimeve aktuale me zgjedhjet lokale.

“Përgjatë këtyre pesë viteve që jam Presidente, dhe përkundër faktit që kam dalur me qëndrime krejtësisht të kundërta me ato të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përsëri nuk i ka rënë taman, përsëri janë ankuar, përsëri kanë akuzuar, kështu që siç po e shihni përkundër këtyre akuzave pesë vjeçare shumë të tjerave që do të vijnë edhe sonte edhe nesër unë qëndroj dhe do të qëndroj edhe shumë gjatë duke mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Osmani nuk hezitoi që prap t’i përgjigjet pyetjes nëse kjo datë u zgjodh meqë i konvenon Lëvizjes Vetëvendosje por nuk i pelqëu pyetja, nëse në ndonjë formë po i shërben interesave të kësaj partie.

“E para kjo është një pyetje ofenduese të cilën unë jam e bindur që ju kurrë një burri nuk do të ia kishit bërë, sepse ti kurrë një burri nuk i thua po vepron pa vetëdije. Një pyetje të tillë ja bëni vetëm një gruaje. Dua t’i sigurojë qytetarët që asnjë vendim, përgjatë gjithë karrierës nuk e marr pa vetëdije”, ka shtuar Osmani.

Ajo u pyet edhe për të ardhmen e saj, dhe nëse synon edhe një mandat në krye të shtetit, por tha se një herë do ta pres përbërjen e Kuvendit të ri e më pas do t’i shohë mundësitë.

 

Të fundit nga rubrika