Shpërthim në një xhami në Siri gjatë faljes së xhumasë, të paktën 8 të vdekur

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi që ndodhi gjatë faljes së xhumasë brenda një xhamie në qytetin Homs të Sirisë, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Pamje të publikuara nga agjencia shtetërore siriane e lajmeve, Sana, tregojnë brendësinë e xhamisë Imam Ali ibn Abi Talib me mure të nxira nga flakët, dritare të thyera dhe gjak në tapetin e faljes, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Sipas autoriteteve, shpërthimi u shkaktua nga një mjet eksploziv i vendosur brenda objektit, raportoi Sana duke cituar burime të sigurisë. Ndërkohë që autorët janë ende në kërkim, përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi xhihadist Saraya Ansar al-Sunnah.

Xhamia ndodhet në lagjen Wadi al-Dhahab, një zonë e banuar kryesisht nga pjesëtarë të komunitetit etno-fetar alavit.

Ministria e Jashtme e Sirisë e dënoi ashpër “krimin terrorist”, duke shkruar në një deklaratë në platformën X se “ky akt frikacak përbën një sulm të hapur ndaj vlerave njerëzore dhe morale” dhe synon “minimin e sigurisë dhe stabilitetit të vendit”.

Grupi ekstremist sunit Saraya Ansar al-Sunnah deklaroi se sulmi u krye në bashkëpunim me një grup tjetër ende të paidentifikuar, duke përdorur eksplozivë të vendosur në vendngjarje.

Origjina e paqartë dhe lidhjet e errëta të këtij grupi, i cili u bë i njohur në qershor pasi mori përgjegjësinë për një sulm vdekjeprurës ndaj një kishe në Damask, kanë ngritur pikëpyetje mbi autenticitetin dhe lidhjet e tij reale. Disa vëzhgues kanë spekuluar se ai mund të jetë një mbulesë për grupin Shteti Islamik (IS), për shkak të ngjashmërive në mesazhe dhe objektiva.

Sulmi i fundit vjen pas një periudhe disa mujore pa sulme të raportuara nga ky grup, i cili më herët ka pretenduar vrasje të synuara ndaj pakicave fetare dhe ndaj asaj që e quan “mbetje të regjimit të mëparshëm” të Bashar al-Assad.

Shpërthimi ndodh një vit pasi forcat rebele siriane rrëzuan nga pushteti Assadin, i cili i përkiste komunitetit alavit – një degë e Islamit shiit dhe një nga pakicat më të mëdha fetare në Siri.

Pas rrëzimit të tij, vendi është përballur me valë të dhunës sektare, ndërsa alavitët kanë shprehur frikë nga hakmarrjet dhe janë përballur me represion. Assad u arratis në Rusi, aleate e regjimit të tij, ku ai dhe familja e tij kanë përfituar azil.

Në mars, forcat e sigurisë u akuzuan për vrasjen e dhjetëra alavitëve në provincën bregdetare Latakia, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR).

Të fundit nga rubrika