Një shpërthim gjatë natës në Ambasadën e SHBA-së në Oslo mund të jetë një akt terrorizmi, kanë njoftuar autoritetet norvegjeze.
Ambasada në kryeqytetin norvegjez pësoi dëmtime të vogla pas shpërthimit që ndodhi në orët e para të së dielës, por nuk ka persona të lënduar.
“Një nga hipotezat është se mund të bëhet fjalë për një akt terrorizmi, por nuk jemi të përqendruar vetëm tek kjo”, tha Frode Larsen, drejtues i njësisë së hetimit dhe inteligjencës së policisë, për transmetuesin publik norvegjez NRK.
Autoritetet norvegjeze thanë se janë në kontakt me diplomatët amerikanë dhe një hetim për incidentin ka nisur menjëherë.
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se ata janë “të vetëdijshëm për incidentin në Ambasadën e SHBA-së në Oslo” dhe po e hetojnë atë.
Larsen shtoi se “duhet të jemi të hapur ndaj mundësisë që pas këtij incidenti të ketë edhe shkaqe të tjera”.
Policia njoftoi se rreth orës 01:00 të së dielës (00:00 GMT) u dërguan “resurse të mëdha” pranë ambasadës.
“Policia është në dialog me ambasadën dhe nuk ka të lënduar”, thuhet në komunikatë, raporton BBC.
Michael Dellemyr, që po udhëheq përgjigjen e policisë, tha se shpërthimi ndodhi në hyrjen publike të ndërtesës. Policia kreu kontroll në zonën rreth ambasadës në lagjen Morgedalsvegen të Osos, rreth 7 km jashtë qendrës së qytetit.
Autoritetet gjithashtu kërkuan informacion nga qytetarët që mund të kenë parë ose dëgjuar diçka në lidhje me incidentin.
Fotot e shpërndara në rrjetet sociale treguan xhama të thyer në dëborë jashtë hyrjes së seksionit konsullor, çarje në dyer prej xhami dhe shenja të errëta në dysheme me pllaka.
Autoritetet norvegjeze e konsideruan incidentin “të papranueshëm”, ndërsa Ministri i Jashtëm Espen Barth Eide theksoi se “siguria e misioneve diplomatike është shumë e rëndësishme për ne”.
Nuk ka të lënduar nga shpërthim në Ambasadën e SHBA-së në Oslo