Shqipëria i kundërpërgjigjet Serbisë: Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e cila më 4 tetor sulmoi publikisht qëndrimet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në reagim, Shqipëria shprehu “keqardhje të thellë” për qëndrimin e Serbisë, duke e akuzuar atë se “po përpiqet të rikthejë hijet e së shkuarës mbi një rajon që po synon të ecë drejt së ardhmes.”

“Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Serbisë ngrihet një seri akuzash dhe pretendimesh të pabaza, të cilat Shqipëria i hedh poshtë me forcë dhe vendosmëri. Çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me frymën e paqes dhe pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton”, thuhet në reagim.

Osmani kishte dënuar deklaratat e Vuçiqit, i cili tha se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po përpiqet ta përdorë këtë periudhë “para luftës” për të bindur vendet e NATO-s.

Sipas Osmanit, “thirrjet e Vuçiqit për luftë janë jehonë e rrezikshme dhe synojnë ruajtjen e pushtetit përmes gjakderdhjes së reja.”

Në kundërpërgjigje, Ministria e Jashtme e Serbisë akuzoi Osmanin për “përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga përndjekja sistematike e serbëve në Kosovë.”

Shqipëria e ka refuzuar kategorikisht këtë narrativë, duke ia kujtuar Serbisë “të vërtetat historike” të vitit 1999:

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë e gjen me vend t’i kujtojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre. Është për të ardhur keq që deklarata e Ministrisë së Jashtme të Serbisë mbështetet ende mbi një Raport tashmë të diskredituar të Dik Martit, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Në fund të reagimit, Ministria shqiptare thekson se përpjekjet e Serbisë për të manipuluar të kaluarën nuk mund të ndryshojnë realitetin.

Shija e redaktorit

Përballja e madhe për Prishtinën: Rama, Çeku e Ismaili më...

Më 9 tetor, e enjte në Debat plus, do të zhvillohet një debat mes tre kandidatëve për kryetar të Prishtinës. Pjesëmarrjen e ka konfirmuar sot...

”Lufta e UÇK-së ishte një pelegrinazh”- Ish-komandant “Remi”: Në UÇK...

Rrustem Mustafa, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, është pyetur për Albin Kurtin nëse është veteran i UÇK-së, pasi ai e ka...

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

Të fundit nga rubrika