Poshtë një veture të tipit “Land Rover”, policia shqiptare në Durrës gjeti tri armë zjarri dhe 1580 fishekë luftarakë.
Kjo veturë, që nga viti 2022 gjendej në portin e Durrësit, ku nga Kosova kishte kaluar nëpër pikën kufitare në Morinë dhe cak përfundimtar kishte Republikën Demokratike të Kongos.
Në kërkim këtë të shtunë u shpall shtetasi kosovar me inicialet Y. I., 24 vjeç.
Ndërsa në ditën e fundit të majit, gjithashtu në një operacion të koduar “Puzzle”, u arrestuan 10 persona që dërgonin armë nga Kosova në Shqipëri, më saktësisht në Tiranë.
Pistoletat shiteshin për çmim midis 1,500 dhe 2,500 euro, ndërsa një armë me silenciator mund të shitej për mbi 3,000 euro.
Kurse dy ditë më vonë, në një rast të ngjashëm trafikimi armësh nga Kosova drejt Shqipërisë, ndërhyrë Policia e Fierit me prokurorinë e këtij qyteti.
Në kuadër të operacionit ‘Procedimi’, është goditur grupi kriminal që trafikonte armë, si dhe kultivonte dhe shiste kanabis në Kosovë e Shqipëri, në disa raste armët siguroheshin nga Kosova dhe futeshin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër në Pikën Kufitare Morinë.
Armë nga Kosova u kapën nga organet e rendit në Shqipëri edhe kur ato destinacion kishin shtete si Zvicra.
Por, si këto armë kaq lehtë po kalojnë nga Kosova, dhe si po sigurohen ato?
“Armët e tilla kryesisht Kosovën e shfrytëzojnë si korridor, pasi Kosova gjeografikisht grupeve kriminale iu mundëson një gjë të tillë që lidh lindjen me perëndimin”, ka thënë Armend Halimi, Kriminolog nga Instituti për Studime të Sigurisë.
E, profesori universitar Avni Islami thotë që këto armë janë nga grupe të mirë të organizuara, dhe shefat e tyre nuk janë nga Kosova.
“Mendoj që ne nuk kemi grupe të strukturuara kriminale, nuk ka bos ose hierarki në mbarëvajtjen e këtyre grupeve kriminale, por grupe të caktuara në rrjetet e merimangës që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe qëllimi është t’i shesin ato armë për përfitime materiale”, ka thënë Avni Islami, Ekspert i Sigurisë.
Këto armë kryesisht konsiderohet se vijnë nga shtete të tjera në Kosovë e që synim kanë tregun perëndimor.