Shtatë kryesues ndalohen në Klinë për manipulim votash

Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar për 48 orë 7 kryesues të vendvotimeve në komunën e Klinës, nën dyshimin për keqpërdorim gjatë numërimit të votave.

Sias njoftimit, gjatë hetimeve janë intervistuar komisionerë dhe kryesues të vendvotimeve, ndërsa Prokuroria do të parashtrojë kërkesë në gjykatë për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale.

“Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, njofton opinionin publik se, pas autorizimeve të dhëna për Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës lidhur me procesin hetimor për numërimin e votave në komunën e Klinës, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve komisionerë dhe kryesues të vendvotimeve. Pas intervistimit të tyre, me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Pejë, janë ndaluar për 48 orë shtatë (7) kryesues të vendvotimeve në këtë komunë. Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës të pandehurve në procedurë penale në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës theksojnë se mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e integritetit të votës dhe ndjekjen e të gjithë personave që dyshohen për veprime penale zgjedhore.

Të fundit nga rubrika