Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë ditës së diel në Kosovë, sipas raportit 24-orësh të Policisë, me të dyshuar të arrestuar në disa komuna dhe një të shpallur në kërkim.
Në Lipjan, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një burrë dhe një grua. Viktimat kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Prishtinë, një burrë ka raportuar se është sulmuar nga një person tjetër mashkull. Nuk është raportuar për lëndime, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Në Obiliq, një grua u arrestua pasi dyshohet se sulmoi anëtarë të familjes dhe dëmtoi orendi shtëpiake. Pas konsultimit me prokurorin, ajo u lirua në procedurë të rregullt.
Edhe në Klinë, një mosmarrëveshje mes një burri dhe një gruaje përfundoi me fjalosje dhe goditje mes tyre. Asnjëri nuk kërkoi trajtim mjekësor dhe prokuroria e ka dërguar rastin në procedurë të rregullt.
Në Pejë, një grua ka raportuar se është sulmuar nga një burrë. Ajo ka refuzuar trajtimin mjekësor, ndërsa i dyshuari është në kërkim nga policia.
Në një rast më të rëndë në Gjakovë, një burrë dyshohet se ka sulmuar një tjetër.
I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në Spitalin Psikiatrik.
Ndërkohë në Malishevë, një burrë është arrestuar pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj familjarëve. Pas inicimit të rastit, ai është dërguar në mbajtje.