Panairi i 25-të i librit në Prishtinë shënon një moment të rëndësishëm në kalendarin kulturor të vendit tonë, duke vijuar traditën e një ngjarjeje që bashkon autorët, lexuesit dhe botuesit.
Në kuadër të këtij organizimi, shtëpia botuese “Dukagjini” do të prezantojë mbi 50 botime të reja për lexuesit shqiptarë. Redaksia e “Dukagjinit”, gjatë këtij viti, ka përzgjedhur me kujdes tituj për tipa të ndryshëm lexuesish.
Kolanës “Fryma”, e cila sjell në gjuhën shqipe autorët më me ndikim në histori nga fusha e shkencave sociale e humane, i janë shtuar: “Ardhja e shoqërisë postindustriale: përpjekje për një parashikim shoqëror” nga autori Daniell Bell, “Estetika dhe letërsia” e filozofit kanadez, David Davies, si dhe “Transformimi i intimitetit: seksualiteti, dashuria dhe erotizmi në shoqëritë moderne” nga Anthony Giddens-i. Dy të fundit janë botime ekskluzive për Panairin e Librit në Prishtinë.
Nga kolana “Magnum Opus”, në këtë panair prezantohet vepra e njohur “1984” nga George Orwell.
Shtëpia botuese “Dukagjini” është e para nga Kosova që është bërë pjesë e projektit kulturor “Evropa kreative”, me mbështetjen e së cilës ka sjellë plot njëmbëdhjetë tituj brenda kolanës “Effugium”, nga e cila për herë të parë në Panairin e 25-të të Librit në Prishtinë prezantohen: “Lugina e lumit Issa” nga Czesław Miłosz, “Bela Bartok kundër Perandorisë së Tretë” nga Kjell Espmark, “Dorëshkrimi fanariot” nga Doina Ruşti, “Shoku” nga Cesare Pavese, “Aneta: një epos heroinash” nga Anne Weber, “Shumica e poezive” nga Tom Lanoye dhe “Rrethi i vrasjeve: një trup në liqen” nga Iva Procházková.
“Dukagjini”, po ashtu, ka përmbyllur serinë e nobelistit “Hermann Hesse”. Risi për Panairin e 25-të të Librit në Prishtinë janë: “Pelegrinët e Lindjes”, “Luftë dhe Paqe”, “Knulpi & E bukur është rinia”, “Jetëshkrimi i katërt i Jozef Knehtit”, “Loja e rruazave prej qelqi”, “Narcisi dhe Gojarti” dhe “Tregime & Brenda kaosit” (tri ese).
Në këtë Panair, për herë të parë prezantohen, po ashtu, veprat: “Joni” nga Platoni, “Poezi të zgjedhura” nga Katuli dhe “Historia e letërsisë greke” (grup autorësh), nga kolana “Klasikë”.
Ndërkohë, nga botimet “Lekë”, sirtarit të lexuesit shqiptar i shtohen veprat: “Arti i logjikës në një botë jologjike” dhe “Përtej infinitit: një udhëtim në kufijtë e jashtëm të matematikës” nga Eugenia Cheng, “Influencuesja” nga Amara Sage, “Superkomunikuesit: si ta gjejmë gjuhën sekrete të lidhjes me të tjerët”, “Më mençur, më shpejt, më mirë” dhe “Fuqia e shprehisë: pse bëjmë atë që bëjmë në jetën personale dhe në atë profesionale” nga Charles Duhigg dhe “Fatet” (vëllimi I i serisë Dritëhijet) nga Xhoana Jaku.
Në listën e botimeve të reja për këtë panair përfshihen edhe lektyrat shkollore: “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun” nga Naum Prifti, “Libri i Xhunglës” dhe “Libri i dytë i Xhunglës” nga Rudyard Kipling, “Përrallëza” nga Ezopi, “Medaljoni” nga Rrahman Dedaj, “Agimet e kaltra” nga Qamil Batalli, “Sarajet e bardha” nga Vehbi Kikaj dhe “Dy vjet pushime” nga Zhyl Verni.
Në stendën e botimeve të “Dukagjinit” do të mund të gjeni disa botime të veçanta nga shkrimtarët e studiuesit shqiptarë, si dhe botime të reja edukative. Të gjitha këto botime i shtohen gamës së gjerë të librave të shtëpisë botuese “Dukagjini”, duke dëshmuar punën e pandalshme drejt pasurimit të botës letrare për secilin tip lexuesish.
Gjatë ditëve të panairit, vizitorët do të kenë mundësinë të takohen me redaksinë dhe autorët e “Dukagjinit”, të bashkëbisedojnë për letërsinë, artin dhe shkencën, si dhe të njihen nga afër me procesin e botimit.
Jua rikujtojmë se Panairi i 25-të i Librit do të jetë i hapur nga 11 deri më 15 qershor në Pallatin e Rinisë në Prishtinë dhe shenjon ngjarjen më të rëndësishme e më të madhe të librit në Kosovë.
Shtëpia botuese “Dukagjini” ju mirëpret në stendën e saj!