Shtëpia ku kaloi fëmijërinë Papa Leon XIV, Papa i parë amerikan në histori, ka dalë në shitje përmes një ankandi luksoz, me një çmim fillestar prej 250,000 dollarësh.
Prona ndodhet rreth 32 kilometra në jug të Çikagos dhe përfshin tre dhoma gjumi. Interesi për shtëpinë u rrit menjëherë pas emërimit të Kardinalit Robert Francis Prevost si Papë më 8 maj, kur u morën tetë oferta vetëm disa orë pas lajmit.
Fillimisht, shtëpia ishte listuar për shitje në janar për 219,000 dollarë, pas një rinovimi të plotë nga një investitor që e kishte blerë për vetëm 66,000 dollarë një vit më parë.

Megjithëse çmimi zbriti në 199,000 dollarë, ajo nuk tërhoqi interes deri në shpalljen e Papa Leonit XIV. Shtëpia u hoq menjëherë nga tregu për t’u përgatitur për ankand.
Pjesa më e madhe e vëmendjes vjen nga rëndësia historike dhe simbolike e shtëpisë: aty Papa kaloi dy dekadat e para të jetës me familjen e tij.
Ekspertët e pasurive të paluajtshme theksojnë se ankandet luksoze janë një mënyrë e përshtatshme për prona me histori të pazakonta. Përfaqësuesi i ankandit, Haghani, e përshkroi shtëpinë si një pronë unike që mund të bëhet një copëz e rrallë e historisë amerikane në Kishën Katolike. Ankandi mbyllet më 18 qershor./Euronews.al