Shtyhet rigjykimi për veteranët, prokurorisë s’i mjaftoi 1 vit kohë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka dështuar të nis rigjykimi në rastin e njohur si “Veteranët”. Seanca dështoi të nis për shkak të Prokurorisë, që ka kërkuar edhe 60 ditë kohë për t’u përgatitur. Në këtë rast janë të akuzuar 12 persona, që të gjithë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit dhe veteranit. Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim me ankesë të Prokurorisë Speciale, pasi Gjykata i kishte liruar nga të gjitha akuzat të pandehurit

Gati një vit kohë nuk i kanë mjaftuar Prokurorisë Speciale, që të përgatitet për nisjen e rigjykimit në rastin e njohur si “Veteranët”.

Kështu, me kërkesë të prokurorit Valdet Gashi, i cili ka kërkuar edhe 60 ditë kohë për tu bërë gati, seanca e planifikuar për të mërkurën ka dështuar.

Me këtë veprim të Prokurorisë, nuk pajtohet avokati Arianit Koci, që përfaqëson të akuzuarin Shkumbin Demalija.

“Në këtë formë po shkelen të drejtat e të mbrojturit tim dhe të akuzuarve të tjerë…Pra, me vite të tëra po bëhet ky gjykim dhe tash prapë i duhet kohë Prokurorisë, pse nuk e ka shfrytëzu këtë kohë para se me e ngritë aktakuzën po tani pasi jemi në procedim. Unë besoj që Prokuroria ka hyrë në mal pa sakicë, pra nuk mundet në këtë mënyrë pretendimet e veta me i vërtetu”, ka thënë ai.

Në këtë rast janë të akuzuar gjithsej 12 persona, që të gjithë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit dhe veteranit.

Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Sajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, akuzohen se në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat.

Gjykata Themelore në Prishtinë në prill të vitit 2021 i liroi që të gjithë nga akuza.

Mirëpo, Apeli e riktheu më pas lëndën në rigjykim.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej mbi 88 milionë euro.

Me aktakuzën e Prokurorisë, ishte kërkuar nga Themelorja e Prishtinës që të pezullohej pagesa e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundim të procesit gjyqësor, megjithatë Gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë. Seanca e radhës është caktuar më 15 qershor.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika