Seanca gjyqësore e paraparë të mbahej sot për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ndaj të akuzuarve që ishin deputetë në atë kohë, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Pal Lekaj, është shtyrë.
Lajmin e ka konfirmuar avokati i Pal Lekajt, Musa Damati.
Damati tha se shtyrja ka ndodhur për shkak të angazhimeve të disa zyrtarëve të përfshirë në proces.
“Seanca e sotme e planifikuar që të mbahet në rastin e njohur të gazit lotsjellës është shtyrë dhe ajo është shtyrë për arsye të disa prej zyrtarëve të cilët kanë deklaruar me parashtresë me shkrim se janë të angazhuar me agjendën e tyre të punës. Sa i përket klientit tim Pal Lekaj, i njëjti gjendet në Kroaci dhe ka prenotuar biletën e kthimit për të qenë pjesëmarrës në këtë seancë, por jemi njoftuar përmes telefonit që seanca, për arsye të tjera, është shtyrë”, tha ai.
Sipas avokatit, nuk ekzistojnë prova që e konfirmojnë veprën penale me të cilën janë ngarkuar të akuzuarit.
“Ajo që është relevante në këtë çështje është të theksohet se në raport me klientin tim, por edhe me të tjerët, nuk ekzistojnë prova relevante që mund ta konfirmojnë konstituimin e figurës së posaçme të veprës penale me të cilën ngarkohen. Një çështje tjetër me interes është që të theksohet se, sipas institutit të të drejtës penale, instituti i parashkrimit absolut do të arrijë në këtë çështje deri në fund të këtij viti”, tha ai./EO