Shtyrja e paraqitjes së provave nga mbrojtja mund të vonojë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Pavarësisht paralajmërimit, mbrojtja e Hashim Thaçit ende nuk ka dorëzuar kërkesën për shtyrje të afatit për paraqitjen e provave dhe të dosjes përfundimtare. Sipas monitoruesve të punës së gjykatës, kjo do të shtyjë  edhe shpalljen e vendimit përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Muajt e parë te vitit të ardhshëm ishin parë si vendimtar, për të kuptuar epilogun e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Por, një paralajmërim i bërë nga avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq se do të kërkojnë t’i  shtyrjen e afateve për të përmbyllur çështjen nga ana e tyre, mund të shtyjë edhe vendimin.

Në një përgjigje për televizionin nga Dhomat e Specializuara, kanë thënë se ende nuk kanë pranuar ndonjë shkresë nga ekipet mbrojtëse.

“Mbrojtja e Thaçit theksoi gjatë seancës gjyqësore se do të dorëzonte një kërkesë të tillë. Deri më tani nuk ka asnjë dosje me shkrim publike lidhur me këtë çështje. Trupi Gjykues do të vendosë për çdo kërkesë të tillë në përputhje me ligjin dhe rregulloren. Në fakt, gjatë gjithë gjykimit, Trupi Gjykues ua ka kujtuar palëve menaxhimin e kohës në një përpjekje për të siguruar që procedurat të jenë sa më të shpejta të jetë e mundur. Trupi Gjykues ka treguar se data e synuar e 14 nëntorit për ekipet e Mbrojtjes për të paraqitur provat e tyre në këtë çështje është vetëm një tregues i vlerësimit të Trupit Gjykues për kohëzgjatjen e çështjes së Mbrojtjes dhe mund të përshpejtohet ose të zgjatet sipas nevojës. Trupi Gjykues u ka thënë gjithashtu palëve se ato duhet të jenë të gatshme të dorëzojnë dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare para 22 dhjetorit, por gjithashtu ka theksuar se gjykatësit do të caktojnë një datë të saktë në lidhje me këtë çështje sapo çështja e Mbrojtjes të jetë më e avancuar.”

E monitoruesit e punës së Speciales në Hagë thonë se çdo kërkesë e tillë, do të ndikojë në shtyrjen e vendimit përfundimtar.

“Sigurisht që çdo shtyerje e afatit ndikon edhe tek shtyerja të themi e vendimit përfundimtar për arsye se të gjitha këto veprime janë veprime zingjirore të cilat të themi e shtejnë afatin e njëra tjetrës”, ka thënë Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

“Prej fillimit kur është vendosur ky afat është ditur se nuk është afat definiv dhe mund të ndryshojë varësisht prej nevojave të procesit, dhe meqë tashmë ka lindur kjo nevojë sic ka njoftuar mbrotja ata do dorëzojnë kërkesë, dhe nëse është bindëse aprovohet nga trupi gjykues dhe rrjedhimisht afatet ndryshojnë ngjajshëm i bije që edhe dosja përfundimtare të shtyhet në fillim të vitit të ardhshëm gjë që bënë shtyrjen e afatit përfundimtar marrjen e vendimit në këtë rast”, ka thënë Blendina Veliqi nga IDK.

Seanca e radhës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi, do rinisin më 27 tetor, me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja e Thaçit.

Ish-krerët e UÇK-së, janë në paraburgim në Hagë nga viti 2020, nën akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit, derisa gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të 2023.

Të fundit nga rubrika