Shukri Buja, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Lipjanit, ka shpallur rikthimin e tij në politikën lokale me një mesazh të fortë për ndryshim.
Në një postim në rrjetet sociale, Buja ka kujtuar kontributin e tij në vitet ’80, kur, sipas tij, ishte “në ballë të përballjes” për liri dhe të drejta të barabarta, për çka ishte dënuar me 13 vite burg. Ai theksoi se përvoja e tij nga lufta dhe periudhat e mëhershme të qeverisjes në Lipjan i japin legjitimitet për të kërkuar sërish besimin e qytetarëve.
Megjithatë, Buja kritikoi ashpër 12 vitet e fundit të qeverisjes lokale, të cilat i cilësoi si “vite të ngecjes, diskriminimit dhe moszhvillimit”.
“Në vitet ’80-ta, kur liria dhe të drejtat tona ishin të shtypura, unë isha aty – në ballë të përballjes.
Për këtë përkushtim, u dënova me 13 vite burg.
Më vonë, kur vendi kishte më së shumti nevojë, isha sërish përballë të keqes.
Së bashku me ju – bashkëluftëtarë dhe qytetarë të nderuar – luftuam dhe e fituam lirinë tonë të shenjtë.
Me besimin dhe përkrahjen tuaj, fitova dy herë zgjedhjet lokale dhe pata nderin të shërbej si Kryetar i Komunës së Lipjanit, në një nga periudhat më të rëndësishme të shtetformimit të Kosovës.
Gjatë gjashtë viteve të qeverisjes sonë, investuam mbi 62 milionë euro në Lipjan.
Kemi bërë shumë punë – por shumë më tepër ka mbetur pa u bërë!
Fatkeqësisht, 12 vitet e fundit kanë qenë vite të ngecjes, diskriminimit dhe moszhvillimit.
Prandaj, sot rikthehem.
Me përvojë.
Me energji të re.
Me vizion të qartë dhe vendosmëri të palëkundur – për ta çuar Lipjanin aty ku e meriton!
Për këtë rikthim, kam nevojë për përkrahjen tuaj.
Lipjani ka nevojë për drejtim të vërtetë.
Për projekte madhore që prekin jetën tuaj të përditshme.
Jo për fasadë.
Jo për ngjyra.
Por për punë.
Projektet që nuk arrita t’i përfundoj atëherë – do t’i çoj deri në fund tani.
Nuk ndalem!
Mjaft më me pritje.
Koha e tyre ka kaluar.
Tani është koha jonë!
Unë jam Shukri Buja,
nuk flas për ndryshim, unë vij për ta bërë atë”, ka shkruar Buja.