Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka prezantuar planet e tij për zhvillimin e turizmit dhe rekreacionit në këtë komunë.
Ai ka theksuar se gjatë 12 viteve të fundit, turizmi në Lipjan ka mbetur i anashkaluar dhe qyteti është trajtuar vetëm si një pikë tranzitore.
“Për 12 vite me radhë, turizmi dhe rekreacioni në komunën tonë kanë mbetur të anashkaluara nga qeverisja aktuale. Lipjani, me gjithë bukuritë natyrore, është trajtuar vetëm si një pikë tranzitore.
Ne kemi një vizion ndryshe: të kthejmë Lipjanin në një destinacion të mirëfilltë turistik.
Këtu, ku po qëndroj sot, do të ndërtojmë Qendrën Rekreacioni në afërsi të Parkut Nacional të Blinajës – një hapësirë prej 3 hektarësh që do të ofrojë: Tenda luksoze dhe mini-kabina prej druri, zona pikniku me barbikju, restorant panoramik, amfiteatër natyror për aktivitete kulturore shtigje për ecje e çiklizëm, kënde relaksuese e lojërash për fëmijë, fusha sportive e parkingje per vizitor.
Kjo qendër do të jetë jo vetëm për banorët tanë, por edhe për vizitorët e huaj, duke krijuar kushte që ata të qëndrojnë më gjatë në Lipjan dhe të vizitojnë të gjitha pikat tona turistike.
Me vizionin tonë, Lipjani nuk do të jetë më thjesht një stacion kalimtar, por një destinacion i gjallë dhe atraktiv për të gjithë.
Bashkë, e kthejmë Lipjanin në zemër të turizmit natyror të Kosovës”, ka shkruar Buja.