Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës i është drejtuar me një kërkesë zyrtare presidente së vendit, Vjosa Osmani, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e krizës financiare në RTK.
Në letrën e dërguar më 11 nëntor, sindikata i kujton presidentes deklaratën e saj të sotme, ku ajo shprehu gatishmërinë që të propozojë në Kuvend alokimin e buxhetit për transmetuesin publik.
“RTK tash e disa javë ndodhet në kolaps financiar, ndërsa punëtorët nuk kanë marrë pagat e tyre. Kjo gjendje po reflekton rëndë në jetën e qindra familjeve që varen nga ky institucion publik. Ndër ta, ka punonjës që nuk kanë mundësi të blejnë barnat e nevojshme, që përballen me vështirësi për ushqim, qira e pagesa bazike, dhe që tashmë ndihen të harruar nga institucionet e vendit”, thuhet në kërkesën e SPERTK-së.
Sindikata ka theksuar situata është përkeqësuar më tej pasi bankat kanë filluar të ushtrojnë presion ndaj punëtorëve për pagesën e kësteve të kredive, në kohën kur ata nuk kanë marrë asnjë të ardhur mujore.
“Gjendja është bërë edhe më e rëndë pasi bankat kanë filluar presione ndaj punëtorëve për pagesën e kësteve të kredive, ndërkohë që ata nuk kanë marrë asnjë të ardhur mujore. E nderuar Presidente, Ju lutemi që brenda kompetencave tuaja kushtetuese dhe politike të ndërhyni menjëherë për të ndihmuar në zhbllokimin e buxhetit të RTK-së dhe për të garantuar funksionimin normal të këtij institucioni publik e pavarur, që ka rëndësi jetike për informimin e qytetarëve dhe për demokracinë e vendit”, thuhet nga sindikata.
Në fund të letrës, SPERTK i bën thirrje presidentes Osmani që të veprojë brenda kompetencave të saj për të ndihmuar në zhbllokimin e buxhetit të RTK-së dhe për të garantuar funksionimin normal të këtij institucioni publik e të pavarur.