Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë në shqyrtim të parë Projektligjin për Byronë shtetërore për Verifikimin edhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës ka thënë se Komisioni i Venecias ka dhënë dritën e gjelbër për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Haxhiu ka thënë se në opinionet e këtij komisioni theksohet se duhet të bëhet futja e konfiskimit civil si masë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ajo ka thënë se Komisioni i Venecias përkujton se këto konfiskime duhet të hartohen në parim me Kushtetutën e Kosovës.
Ajo, ndër të tjera, ka shtuar që ky komision ka kërkuar garanci të forta rreth pavarësisë, siç thotë ajo, byroja t’i rezistojë çdo presioni politik.
“Duhet të veprojë mbi një bazë të fortë ligjore sipas kritereve, të jetë publik, të komunikohet personit në fjalë. Është qenësore që Byroja të pajiset me një numër personeli të specializuar që merret me nivelet e larta të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke integruar zyrtarë të ligjit që kanë kompetenca të nevojshme”, ka thënë Haxhiu.
Disa nga rekomandimet e Komisionit të Venecias, Haxhiu ka thënë se janë formulimi i interesave të përgjithshme dhe publike, të përcaktohet saktë sipas cilave kushte dhe kritere duhet të mblidhen informatat, të vendosen garanci më të forta për të drejtat e njeriut dhe të vendoset një prag adekuat për masat e përkohshme.
Ajo ka thënë se ky projetkligj është mjaft i rëndësishëm, pasi po bëhet për herë të parë në Kosovë.
“Duhet të shtohen mekanizmat për aspektin e konfiskimit civil, dhe të bëhet edhe ai penal”, ka shtuar ajo.
Haxhiu ka bërë thirrje në emër të Qeverisë së Kosovës, që të adresohet çdo rekomandim që ka ardhur nga Komisioni i Venecias.