S’ka mjaftueshëm para për pagat e dhjetorit, por qeveria në detyrë s’ndal njëqindshëshet

Në mbledhjen e Qeverisë në detyrë javën e kaluar, kryeministri dhe ministri në detyrë i Financave konfirmuan mungesën prej mbi 18 milionë eurosh në kategorinë paga dhe shtesa për muajin Dhjetor. Por, përkundër kësaj, dhe pa u miratuar mjetet për pagat, u dha njoftimi për shtesat për fëmijët dhe pensionistët. Ekspertë të ekonomisë thonë se këto janë veprime paradoksale dhe “ad-hoc”, me qëllim të ndikimit te qytetarët me të drejtë vote.

“Propozon të aprovohet ndarja e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve në kategorinë e shpenzimeve, paga dhe shtesa për muajin dhjetor 2025 në shumë prej 18 milionë e 758 mijë e 725 euro e 78 centë”.

Edhe pse u shty për një mbledhje tjetër të Qeverisë, ky propozim i Ministrisë së Financave, i lexuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti më 19 Dhjetor, konfirmoi mungesën e parave në linjën e pagave dhe shtesave për këtë muaj.

Përkundër këtyre rrethanave buxhetore, tri ditë para zgjedhjeve, Qeveria në detyrë njoftoi se më 29 Dhjetor do të ekzekutohen “shtesat e fundvitit” nga 100 euro për fëmijët dhe për të gjithë pensionistët.

Pasi tha se mungon përgjegjësia dhe llogaridhënia, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu theksoi se këto veprime e vendime dëshmojnë se sa është e politizuar gjithçka dhe se sa e pa-kompromis është lufta për pushtet.

“Paradokset më të mëdha janë ato kur në kohë të kampanjave zgjedhore bëhen shpenzime të pakontrolluara qoftë ne pensione, qoftë në ndihma të ndryshme, për të cilat qytetarët kanë nevojë, mirëpo forma është mjaft e gabuar. Si është e mundur që të krenohemi që kemi ndarë ndihma për qytetarët e në anën tjetër mungojnë 18 milionë euro që duhet të rialokohen nga projeksione tjera buxhetore për të përmbushur obligimet bazike”, u shpreh Gërxhaliu.

Profesori Shkumbin Misini konsideron se në rrafshin ekonomik shtesat e fundit ndikojnë pozitivisht në rritjen e konsumit dhe qarkullimit, e negativisht në rritjen e importit por kritikoi veprimet aty-për-aty dhe politikat financiare shtetërore pa plan.

“Nga aspekti i menaxhimit të parasë publike këtu nuk duhet të shkohet në formë të ad hoc-ut, për arsye se kjo nënkupton blerje të votave. Të gjitha raportet ndërkombëtare që i kemi duke filluar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, nga Transparency International dhe nga Raporti i Progresit, janë njëzëri që influenca e përdorimit të parasë publike, që përdorin zyrtarët publik është pjesë e korrupsionit”, tha Misini.

Në Nëntor, për të mbuluar rritjen e pensioneve, në emër të kursimeve dhe ndarjeve, pushteti bëri një ri-destinim në vlerë 24 milionë euro nëpër kategori buxhetore që lidhen me pensionet, pagesat sociale dhe të ngjashme, duke marrë para kategori të tjera, përfshirë investimet kapitale.

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika