Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka deklaruar se partia e tij nuk do ta mbështesë Glauk Konjufcën për kryeministër, duke e cilësuar mandatin e tij si pjesë të një “lojë politike” të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në emisionin FIVE, Lekaj tha se Qeveria Kurti tashmë “ka mbaruar” dhe se nuk ka gjasa që Kuvendi i Kosovës të votojë për një qeveri të re.
“Unë mendoj që Qeveria Kurti ka mbaruar dhe nuk besoj se do të kemi qeveri tani të votuar nga parlamenti i Kosovës, jo sepse subjektet politike nuk kanë qenë të gatshëm për ndonjë bashkëpunim por nëse e analizojmë situatën dhe veprimet e zotit Kurti, në paraqitjen e parë pas zgjedhjeve ai ka dhënë sinjale të qarta se nuk do bashkëpunim pro do konflikt dhe nuk është i interesuar që të ketë qeveri Kurti 3”, ka deklaruar ai në emisionin FIVE.
Ai ka shtuar se Kurti e ka ditur paraprakisht se Konjufca nuk i ka votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeministër.
“Kjo mendoj se është e papranueshme edhe për ne edhe për qytetarët sepse Kurti e ka ditur dhe e dinë prapë sepse në deklarimet e veta e tha qartë se Konjufca i merr 56 vota nuk kemi vota për të votuar për kryeministër apo të nominuarin zotin Konjufca. Unë mendoj se kjo është për të krijuar një narrativë dhe të shkohet në zgjedhje. Po ta kishte seriozisht nuk do ta kishte kandiduar kandidatin për parlament të Kosovës 50 herë dhe e ka ditur që nuk i ka votat. Në fund ia votuam vetëm për të treguar se nuk e ka seriozisht formimin e qeverisë Kurti 3″, ka deklaruar Lekaj.
Sipas tij, vendimi për të propozuar Konjufcën ka qenë i qëllimshëm, duke e quajtur si lojë e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
“Dhe pse ka rënë Konjufca në grackë të Kurtit , nuk e di. Sepse unë mendoj që edhe Konjufca e di shumë mirë që nuk do të ketë votë për t’u votuar në parlament për të qenë kryeministër. Këto krejt janë lojëra të zotit Kurtit, dhe këtë karrem mendoj se e ka ngrënë Konjufca”, ka theksuar tutje ai.
