S’ka votim jashtë përfaqësive diplomatike, VV pa vendim nëse ankohet në Supreme

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka treguar nëse do t’i drejtohet edhe Gjykatës Supreme me ankesë, pasi Paneli Zgjedhore për Ankesa dhe Parashtresa e anuloi vendimin e KQZ-së, e cila votimin në diasporë e lejonte edhe jashtë hapësirave të përfaqësive diplomatike. Nga PDK e LDK thonë se propaganda e Lëvizjes Vetëvendosje se kinse janë kundër të drejtës së diasporës për të votuar është e pabazë

Lëvizja Vetëvendosja e ka humbur betejën me të cilën synonte që votuesve në diasporë të ua mundësojë që të votojnë edhe në vendvotime alternative, përpos konsullatave dhe ambasadave.

Ankesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka dhënë të drejtë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në arsyetimin e saj, PZAP thotë se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat zgjedhore nuk e lejojnë votimin përpos nëpër hapësirat e përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës.

Por, ky vendim ka nxitur shumë reagime, veçanërisht ndërmjet LDK-së e VV-së.

Lideri i Lidhjes Demokratike i është kundërpërgjigjur kritikave të VV-së, duke thënë se ky ishte një tentim i radhës për t’i krijuar kushtet për vjedhje të votës.

… E vërteta është e thjeshtë. Mërgata kurrë më të lehtë nuk e ka patur votimin. Përveç se zgjedhjet janë në fundvit, kur secili mund të jetë në atdhe; secili bashkëatdhetar që nuk vie këndej, mund të votojë në konsullatë e ambasadë të Republikës; shtetit tonë. Mund dhe të votojnë edhe me postë; secili në emrin e vet, me fletëvotim jo të printuar por të pranuar nga shteti i vet…”- Lumir Abdixhiku – Kryetar i LDK-së

Edhe për Partinë Demokratike të Kosovës tentimi për të votuar jashtë përfaqësive diplomatike ka qenë e papranueshme. Anëtari i kësaj partie në KQZ, Arianit Elshani thotë se refuzimi i këtij propozimi nuk është tendencë që të iu pamundësohet votimit atyre që votojnë në diasporë, por është e kundërligjshme.

“Po nuk qëndron ajo, ky ligj është miratuar gjatë kohës sa LVV ka qenë në Qeveri pra ligji e përcakton qartë dhe këtë e ka konifrmu edhe PZAP e në qoftë se vazhdohet tutje unë besoj që njejt vepron edhe Gjykata Supreme se nuk ka interpretim tjetër në raport me këtë çështje”, ka thënë – Arianit Elshani – Përfaqësues i PDK-së në KQZ.

Televizioni ka pyetur Vetëvendosjen nëse do të ankohen në Gjykatë Supreme ndaj këtij vendimi, por ata nuk janë përgjigjur.

Megjithëkëtë, në një bisedë telefonike me anëtarin e tyre në KQZ, Sami Kurteshi, ai tha se nuk e di se si vendos partia, por ai personalisht konsideron se duhet të ankohet ndaj vendimit të PZAP-së.

Sipas këshillës juridike në vendimin e PZAP-së, ankesa mund të bëhet  bazuar në nenin 118 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, pika 4, sipas të cilit kjo mund të bëhet nga ‘nga pala e interesuar’.

Të fundit nga rubrika