Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me mbështetjen financiare për një ekspozitë, duke theksuar se vendimi është marrë në përputhje të plotë me rregulloren për subvencionim.
Sipas saj, vendimi është votuar nga të gjithë anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me përjashtim të përfaqësuesve të Lista Serbe, të cilët nuk e kanë mbështetur.
Haxhiu ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar, duke theksuar se Kryesia ka vepruar mbi bazën e informacionit të paraqitur në momentin e vendimmarrjes dhe nuk ka pasur indikacione për pasaktësi.
Ajo ka sqaruar gjithashtu se verifikimi i të dhënave nuk është kompetencë e drejtpërdrejtë e Kryesisë së Kuvendit.
“Mbështetja për këtë ekspozitë është dhënë me qëllim të mirë”, ka deklaruar Haxhiu, duke e cilësuar rastin si një moment të rëndësishëm reflektimi institucional.
Në reagimin e saj, kryetarja e Kuvendit ka paralajmëruar ndërmarrjen e hapave konkretë për të forcuar mekanizmat e vlerësimit, përmes themelimit të komisioneve të posaçme profesionale dhe ndryshimit të rregullores ekzistuese.
Sipas saj, këto masa synojnë fuqizimin e kritereve dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në proceset vendimmarrëse.
