Skandali i parave kineze në Serbi: Politikanë dhe biznesmenë nën hetim për korrupsion milionësh

Hetimet për projektin e rindërtimit të hekurudhës Novi Sad–Suboticë–Kufiri me Hungarinë kanë zbuluar një skemë të gjerë korrupsioni, ku përfituesit kryesorë dyshohet se janë politikanë dhe biznesmenë serbë.

Sipas Prokurorisë për Krimin e Organizuar (TOK), dëmi i shkaktuar shtetit mund të jetë shumë më i madh se shifra fillestare prej 115 milionë dollarësh.

Hulumtimet tregojnë se vetëm tre kompani private serbe, të angazhuara si nënkontraktorë në projektin me vlerë mbi 1.2 miliardë dollarë, kishin mbi 80 nënkontraktorë të tyre. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve dyshohet se nuk ka arritur fare në Serbi, por është transferuar në llogari bankare jashtë vendit, të kontrolluara nga politikanë vendas, përmes kompanive offshore.

Një nga rastet më të bujshme është ai i kompanisë Deko Team, në pronësi të Nenad Ignjatoviq, e cila sipas hetimeve ka lidhur 22 kontrata në vlerë 4.1 milionë euro me kompani kineze dhe serbe. Paratë janë transferuar në llogaritë e kompanisë së vëllait dhe të bashkëshortes së pamartuar të Ignjatoviq-it, për t’u përdorur më pas në blerje apartamentesh dhe pronash. TOK ka vendosur ndalim tjetërsimi mbi disa prej këtyre pasurive. Ekspertët theksojnë se në disa raste çmimet e punimeve janë fryrë deri në shtatë herë mbi vlerën reale, ndërsa pjesa më e madhe e fondeve kthehej në para të gatshme për zyrtarët që siguruan kontratat.

Në qendër të hetimit është edhe kompania Starting, nënkontraktori kryesor vendas për stacionin hekurudhor në Novi Sad, drejtori i së cilës, Nikola Triviq, është arrestuar.

Dokumentet tregojnë se kompania ka rritur artificialisht vlerën e punimeve nga 4.7 milionë euro në gati 18.7 milionë dollarë. Në bilancet financiare figuron një pagë mesatare prej 300 mijë dinarësh, shumë që ekspertët dyshojnë se ka përfituar vetëm drejtuesit, ndërsa punëtorët kanë marrë shumë më pak. Starting ka punësuar deri në 40 nënkontraktorë, ndonëse nuk kishte kapacitetet e nevojshme teknike e ligjore për projektin.

Një tjetër përfitues i madh është Karin Komerc, që sipas të dhënave ka arkëtuar deri në 162 milionë dollarë nga ky projekt, përmes të paktën 28 anekse kontratash vetëm me një kompani kineze dhe duke angazhuar 32 nënkontraktorë vendas.

Profesorët dhe ekspertët e përfshirë në hetim pohojnë se kjo skemë është ndërtuar mbi faturime fiktive, çmime të fryra, transaksione të padokumentuara dhe përdorimin e kompanive offshore për pastrimin e parave. Një pjesë e madhe e fondeve publike, thonë ata, është përdorur për blerje votash, pagesa të paligjshme dhe financimin e aktiviteteve politike.

Hetimi pritet të zgjerohet, duke përfshirë kompani të tjera dhe ish-zyrtarë të lartë, mes tyre ish-ministrat Tomislav Momiroviq dhe Goran Vesiq, të dyshuar për nënshkrimin e kontratave dhe anekseve që lejuan kontraktorët kinezë të kërkonin pagesa të dyfishta për të njëjtat punime. Lista e përgjegjësve, sipas burimeve, mund të jetë shumë më e gjatë dhe të përfshijë edhe figura aktuale politike.

Nëse provat konfirmohen, Serbia do të përballet me një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në dekadat e fundit, me pasoja të gjera në sferën politike dhe ekonomike të vendit.

Të fundit nga rubrika