Pas Belgjikës dhe Hungarisë, edhe Sllovakia ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj përdorimit të aseteve të ngrira ruse për të financuar Ukrainën. Kryeministri sllovak, Robert Fico, deklaroi këtë të shtunë se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në asnjë plan ligjor apo financiar që parashikon sekuestrimin e këtyre fondeve, nëse ato do të përdoren për qëllime ushtarake në Ukrainë.
“A duam ta përfundojmë luftën apo ta nxisim atë? Ne do t’i japim 140 miliardë euro Ukrainës për të vazhduar luftën. Çfarë do të thotë kjo? Se lufta do të vazhdojë për të paktën edhe dy vjet të tjera,” u shpreh Fico.
Ky reagim i Sllovakisë vjen në një moment kur Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e përdorimit të aseteve të ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë për të mbështetur Ukrainën, e cila do të ketë nevojë për fonde të reja deri në fillim të vitit 2026.
Megjithatë, bisedimet në BE kanë mbetur pezull, pasi Belgjika kërkon garanci që nuk do të mbahet përgjegjëse për rreziqet që lidhen me kreditë e propozuara prej 140 miliardë eurosh, duke pasur parasysh se shumica e këtyre aseteve ndodhen në Bruksel.
