Ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë [AKI], Bashkim Smakaj u paraqit në Gjykatën Speciale pasi u arrestua të enjten lidhur me një aktakuzë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Kur u pyet nëse dëshironte të deklarohej, ai pyeti nëse mund të konsultohej me avokatin.
“A mund të konsultohem me avokatin?”, pyeti Smakaj, dhe iu dha koha prej 10 minutash për ta bërë këtë.
Më pas, ai tha se i duhet kohë dhe të shohë më shumë materiale për t’u deklaruar.
“Materialet të cilat i kam pranuar i kemi shqyrtuar, por pas konsultimit që pata tani vendos që të shfrytëzoj periudhën kohore prej 30 ditëve që të marrë edhe materiale shtesë, të shohë, se nuk i kam të gjitha materialet e nevojshme për të dhënë deklarimin sot”, tha Smakaj.
Gjatë paraqitjes së parë Bashkim Smakaj i cili po akuzohet për tentim të personit zyrtar dhe mosbindje ndaj gjykatës, ai kërkoi që të konsultohet me avokatin e tij kur iu kërkua që të shfrytëzojë të drejtën e tij për t’u deklaruar apo mos u deklaruar lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tij.
Si rrjedhojë seanca shkoi në pushim për dhjetë minuta në mënyrë që të konsultohet me avokatin e tij, Bas Martenes.
Vlen të theksohet se Smakaj tha se i kupton të gjitha pikat e akuzës për të cilat ngarkohet dhe ai u njoftua me të drejtat e tij në këtë proces gjyqësor.
Ish-shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakajt, iu refuzua kërkesa për lirim me kusht, dhe u urdhërua që atij t’i caktohet masa e paraburgimit për dy muaj.
Ky urdhër u dha sot gjatë seancës për paraqitjen e parë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, raporton Betimi për Drejtësi, transmeton Klankosova.tv.
“Koha e kaluar nga faktet e pretenduara dhe deri me sot nuk e justifikojnë pengimin e procedurave. Ju parashtruat gjithashtu që nuk ekziston rreziku i krimeve të tjera duke marrë parasysh rrethanave të Z.Smakaj dhe gjithashtu mjedisin e tij përkatës… Kam marrë parasysh edhe parashtrimin për proporcionalitetin dhe kushtet konkrete të Smakajt domethënë situatën e tij profesionale dhe personale të tij. Mbaj parasysh edhe atë që u parashtrua nga prokurori që Smakaj duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim”, tha fillimisht gjyqtarja.
Ajo konstatoi se asnjë prej argumenteve të ngritura nga ana e mbrojtjes nuk qojnë në ndryshimin e konstatimeve të saj në vendimin për arrestimin e Smakajt.
“Pasi kam shqyrtuar të gjitha argumentet, unë konstatoj se asnjë prej argumenteve të ngritura prej jush, avokat mbrojtës nuk qojnë në ndryshimin e vlerësimit të tij që kushtet e parashikuara në nenin 41 janë përmbushur ashtu siç përcaktohen në vendimin për fletarrestimin gjithashtu edhe çështje lidhur me to… po ashtu nuk jam bindur që z.Smakaj nuk është në rrezik për arratisje, në veçanti për shkak të faktit që prej kontrollit në shtator të vitit 2023, akuzuat e ngritura kundër tij janë konfirmuara të marra së bashku me ashpërsinë e veprave penale dhe mundësinë e dënimit, përbëjnë një motiv të shtuar për t’u arratisur”, tha gjyqtarja.
Masselot tha se në vlerësimin e saj, rrethanat familjare të Smakajt në Kosovë nuk e ulin rrezikun e tij për t’u arratisur.
Ndërsa, sa i takon rrezikut për kryerjen e veprave të tjera, gjyqtarja konstatoi se natyra e izoluar e pretenduar e veprave penale dhe kalimi i kohës janë faktor të pamjaftueshëm për të ndryshuar konstatimet e mëparshme të gjyqtares lidhur me arrestimin.
“Pasi kam shqyrtuar parashtrimet e palëve, unë vendos që z.Smakaj duhet që të mbetet në paraburgim. Arsyet për ndalimin e z.Smakaj janë të njëjtat sikur që janë parashtruar në të njëjtin vendin në paragrafët 43 dhe 69 (paragrafi 2)… unë konstatoj që se pari ka dyshim të bazuar mirë sa i takon përgjegjësisë penale për veprat që ju lexuan sot. Ka shkaqe të arsyeshme që ju mund të përbeni rrezik për arratisje dhe pengim të procesit gjyqësor. Për më tepër, asnjë prej kushteve të propozuara prej jush dhe asnjë prej kushteve që unë mund të vendos për z.Smakaj nuk janë të afta që të lehtësojnë këto rreziqe”, tha gjyqtarja.
Ndryshe, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK të premten më 6 dhjetor në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë e cila pritet të mbahet të hënën me 9 nëntor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.