Sot, e hënë, më 22 dhjetor, në ora 09:30 pritet të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të akuzuar për vrasjen e rëndë të Liridona Ademajt.
Seanca ishte planifikuar fillimisht të mbahej më 12 dhjetor, por ishte anuluar për shkak të pamundësisë së pjesëmarrjes së gjyqtarit Alban Ajvazi, njëri nga anëtarët e trupit gjykues.
Të tre të akuzuarit po përballen me akuzën për vrasje të rëndë, ndërsa sipas raportit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, i akuzuari Naim Murseli nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Murseli ishte deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Granit Plava nuk ishte deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kushtrim Kokalla kishte thënë se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen.
Ndërkohë, i akuzuari Tom Dodaj ishte deklaruar fajtor dhe ishte dënuar me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë më 15 janar 2025 ndaj Murselit, Plavës, Kokallës dhe Dodajt.
Sipas aktakuzës tre të akuzuarit dyshohet se ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga Granit Plava, me marrëveshje që Naim Murseli t’i paguante atij 30 mijë euro.