Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të premten do të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të bashkëakuzuarve: Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Seanca është planifikuar të nisë në orën 09:30 dhe të përfundojë në orën 16:00. Pas deklaratave hyrëse, Prokuroria pritet të fillojë paraqitjen e provave të saj.
Sipas aktakuzës në fuqi, e konfirmuar fillimisht më 29 nëntor 2024 dhe e ndryshuar më 16 prill 2025, Thaçi dhe të tjerët akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.
Prokuroria pretendon se ndërmjet 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, Thaçi u ka dhënë bashkëpunëtorëve të tij informacione konfidenciale për dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria, i ka udhëzuar ata që të ndikonin në dëshmitë e tyre dhe ka ofruar hollësi për mënyrën e veprimit.
Në aktakuzë pretendohet gjithashtu se ai ka bashkërenduar tri grupe personash me qëllim të ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin për krime lufte.
Pas konfirmimit të aktakuzës më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu u arrestuan dhe u transferuan në paraburgim në Hagë, ndërsa Kuçi u lejua të mbrohet në liri. Më pas, Kilaj u lirua me kusht për herë të dytë më 10 dhjetor 2025, ndërsa Smakaj dhe Fazliu u liruan me kusht më 10 shkurt 2026.
