Sot përfundon afati për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë në RKS

FOTO:REL

Sot përfundon afati për aplikim të pjesëtarëve të komunitetit serb për t’i konvertuar patentë shoferët e tyre të lëshuar nga institucionet serbe në ato të Kosovës.

Në fillim të majit, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendimin për pajisjen e serbëve në Kosovë me patentë shoferë RKS – Republika e Kosovës. Vendimi hyri në fuqi më 9 maj dhe ishte paraparë të përfundonte më 9 gusht.

Por, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte njoftuar se afati u zgjat deri më 23 gusht (sot) pasi, sipas tij, pati interes të madh për aplikim.

Deri dje në ora 16:00, patentë shoferët i kanë konvertuar 6 mijë e 325 qytetarë, ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Elshani për Portalin Dukagjini ka dhënë statistikat e konvertimit të patentë shoferëve nëpër komuna veç e veç.

Policia e Kosovës kishte thënë se pasi të kalojë afati për konvertimin e patentë shoferëve, të gjithë drejtuesit e automjeteve që kanë këto dokumente të lëshuara nga Serbia, do të konsiderohen se janë duke e drejtuar veturën pa patentë shoferë.

Nga Policia kishin deklaruar se në përputhje me vendimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ndaj këtyre individëve do të shqiptohen gjoba, me mundësi të konfiskimit të automjeteve.

Shuma e gjobave, sipas ligjit, është nga 500 deri në 1.500 euro.

Procesit të pajisjes me patentë shofer të Kosovës i ka paraprirë procesi i riregjistrimit të veturave me targa serbe në targa RKS (Republika e Kosovës), sidomos për ato me regjistrimin KM.

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika