Sot, e enjte, me fillim nga ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të mbahet një protestë gjithëpopullore, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Qëllimi i protestës është kundërshtimi i Gjykatës Speciale dhe shprehja e përkrahjes për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Sipas organizatorëve, protesta është e domosdoshme për të kërkuar drejtësi dhe për të mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së.
Thirrjes për pjesëmarrje i janë bashkuar edhe shumë qytetarë e figura të njohura politike, të cilët kanë shprehur mbështetjen për organizimin.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kryeqyteti do të mbështesë protestën e nesërme, më 7 gusht, në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së dhe për drejtësi.
Ai ka theksuar se lufta për liri është themel i shtetit të Kosovës dhe se respekti për sakrificën nuk është zgjedhje, por obligim kombëtar.
Për të lehtësuar pjesëmarrjen në protestë, Komuna ka ofruar transport urban falas për të gjithë qytetarët dhe parking falas për autobusët pas Pallatit të Rinisë nga ora 16:00 deri në 18:00.