Spanja ka ndërmarrë një veprim konkret për të ndihmuar popullatën civile në Rripin e Gazës, duke hedhur nga ajri 12 ton ushqime në përpjekje për të zbutur krizën e rëndë humanitare që po përjeton ky rajon i goditur nga uria dhe sulmet e vazhdueshme izraelite.
Ndihmat janë shpërndarë përmes një avioni ushtarak A400 të Forcave Ajrore të Spanjës.
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Alvarez, bëri të ditur se në këtë operacion ajror janë lëshuar 24 pako ndihmash, secila me peshë prej 500 kilogramësh, të cilat përmbajnë gjithsej rreth 2,500 racione ushqimore.
Ai shtoi gjithashtu se ndihma të tjera spanjolle janë duke pritur në kufirin me Gazën dhe pritet të hyjnë në enklavë gjatë ditëve në vazhdim.
Ndërkohë që situata humanitare në Gazë po përkeqësohet çdo ditë, edhe vende të tjera perëndimore, si Franca dhe Britania e Madhe, kanë ndërmarrë dërgesa të ngjashme ajrore për të ndihmuar civilët palestinezë.
Këto përpjekje ndihmëse vijnë në një moment kur rajoni i Lindjes së Mesme po përballet me një krizë të thellë humanitare, që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga komuniteti ndërkombëtar.