Donald Trump raportohet se u ka vendosur një afat të shkurtër aleatëve evropianë për të marrë vendime konkrete mbi vendosjen e anijeve luftarake ose kapaciteteve të tjera ushtarake për garantimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit, sipas revistës gjermane Der Spiegel.
Kjo kërkesë thuhet se është bërë gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë mes Trump dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Më pas, Rutte ka informuar kryeqytetet evropiane se Uashingtoni po kërkon “angazhime konkrete” brenda disa ditësh, sipas raportimit që citon diplomatë evropianë në kushte anonimiteti.
Sipas tyre, kërkesa është perceptuar si një “ultimatum”, pasi administrata Trump ka bërë të qartë se “premtimet politike” të përgjithshme nga aleatët nuk konsiderohen më të mjaftueshme.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse Shtetet e Bashkuara po synojnë krijimin e një misioni formal të NATO-s apo thjesht koordinimin e misioneve kombëtare nga vendet partnere.