Shefja e Stafit të Presidentes së Kosovës, Learta Hollaj, së bashku me Këshilltaren Kryesore për Politikë të Jashtme, Rejhan Vuniqi, dhe Këshilltaren Politike, Donika Kadaj-Bujupi, ka pritur gjatë kësaj jave Lyn Debevoise, zëvendësdrejtoreshë e Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve.
Sipas njoftimit të Presidencës, në takim u diskutua partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, raportet bilaterale dhe domosdoshmëria për thellimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si siguria, ekonomia dhe politika e jashtme.
Delegacioni i Presidentes ka theksuar rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, duke nënvizuar se rikthimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA është ndër prioritetet kryesore në avancimin e interesave të përbashkëta.
Gjithashtu u veçua angazhimi i presidentes Vjosa Osmani për forcimin e koordinimit të qëndrueshëm me institucionet amerikane dhe vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në të gjitha fushat me interes të dyanshëm.
Në qendër të diskutimit ishin edhe procesi i rregullt zgjedhor, zhvillimet e fundit të sigurisë dhe nevoja që pas zgjedhjeve të formohen sa më shpejt institucionet e reja.
Të dyja palët rikonfirmuan përkushtimin për të çuar përpara projektet strategjike, për të nxitur investimet amerikane në sektorët me potencial të lartë dhe për të avancuar objektivin e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike.