Starmer flet me Trump për sulmet ruse në Ukrainë

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, ka deklaruar se sulmet e Rusisë ndaj sektorit energjetik të Ukrainës të hënën në mbrëmje – ndërsa temperaturat ranë në -20°C – ishin barbare dhe veçanërisht të padenja.

Ai i bëri këto komente pasi foli me presidentin amerikan Donald Trump, vetëm disa orë pasi Rusia goditi termocentrale dhe infrastrukturë kritike në kryeqytetin Kyiv dhe në zona të tjera, shkruan BBC, transmeton Dukagjini

Sulmet erdhën në fund të një pauze njëjavore që Trump i kishte kërkuar presidentit rus Vladimir Putin të respektonte, ndërsa një valë e fortë të ftohti përfshiu Ukrainën.

Trump tha të martën se Putin e kishte “mbajtur fjalën” dhe se ai do të dëshironte që lufta të përfundonte. Të dërguar të lartë amerikanë do të takohen me negociatorë nga Rusia dhe Ukraina në Abu Dhabi të mërkurën dhe të enjten.

I pyetur nga gazetarët nëse ishte i zhgënjyer nga rifillimi i sulmeve ruse, Trump u shpreh: “Marrëveshja ishte të dielën, dhe ai [Putini] shkoi nga e diela në të dielë.

“Është shumë, e dini, një javë – ne do të pranojmë gjithçka, sepse atje është vërtet, vërtet ftohtë.”

Dëmet nga sulmet ishin të mëdha: më shumë se 1,000 pallate banimi në Kyiv mbetën pa ngrohje, ndërsa një termocentral në qytetin lindor të Kharkivit u shkatërrua përtej mundësisë së riparimit.

Banorët u detyruan ta kalonin natën duke u strehuar në stacionet e metrosë, me disa që ngritën edhe tenda në platformat e trenave për t’u mbrojtur nga të ftohtit ekstrem.

Autoritetet po ngritin qendra ngrohjeje nëpër Kyiv, ku qytetarët mund të shkojnë për t’u ngrohur. Po ashtu, po importohen më shumë gjeneratorë për t’u përballur me ndërprerje më të gjata të energjisë elektrike, ndërsa inxhinierët përpiqen të riparojnë dëmet.

Ukraina është ankuar vazhdimisht për mungesë raketash, duke u bërë thirrje aleatëve që të dërgojnë më shumë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndodhej në Kyiv vetëm disa orë pas sulmeve dhe deklaroi se po u kërkon vendeve anëtare të “gërmojnë thellë në rezervat e tyre” për të siguruar raketat që i nevojiten Ukrainës.

Presidenti Trump ka udhëhequr përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, por homologu i tij rus ka refuzuar thirrjet për një armëpushim.

Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner – dhëndri i Trump – po takohen me ekipe negociatorësh rusë dhe ukrainas për të diskutuar propozimin amerikan për një marrëveshje paqeje.

Çështja më e vështirë në tryezë lidhet me kërkesat ruse që Ukraina të dorëzojë pjesën e mbetur të territorit të rajonit industrial lindor të Donbasit, që aktualisht nuk kontrollohet nga Moska.

Rusia ka bërë përparime të ngadalta në këtë zonë kohët e fundit.

Ajo nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Shija e redaktorit

Prestigjiozja Forbes: Dukagjini Resort, projekti i parë luksoz në veri...

Revista prestigjioze Forbes shkruan se në bregdetin verior të Shqipërisë, po ngrihet Dukagjini Resort—projekti i parë luksoz në veri që sjell standarde ndërkombëtare dhe...

Fëmijët e Suharekës mirëpresin serinë e re të librave të...

A do botoni libra të tjerë për moshën tonë? Kjo është kureshtja me të cilën u shoqërua takimi i nxënësve të Suharekës me Shtëpinë Botuese...

Libraria Dukagjini sjell promovimin e librit “Një Ditë Tjetër” të...

Të hënën, më 2 shkurt, ora 17:00 tek Libraria Dukagjini në Sheshin Nënë Tereza, në Prishtinë, hap dyert për promovimin e librit më të...

Të fundit nga rubrika