Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka sugjeruar se Andrew Mountbatten-Windsor duhet të dëshmojë para Kongresit të Shteteve të Bashkuara lidhur me marrëdhëniet e tij me financierin Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
“Sa i përket dëshmisë, gjithmonë kam thënë se kushdo që ka informacion duhet të jetë i gatshëm ta ndajë atë”, u tha Starmer gazetarëve, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
“Nuk mund të thuash se je në anën e viktimave, nëse nuk je i gatshëm ta bësh këtë. Viktimat e Epstein duhet të jenë prioriteti kryesor.”
Komentet e kryeministrit vijnë pas publikimit të dokumenteve të reja që lidhen me Epstein, ku përfshihen edhe fotografi që duket se tregojnë Mountbatten-Windsor të gjunjëzuar mbi një grua të shtrirë në tokë.

BBC News ka kërkuar koment nga ish-princi, i cili ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në veprime të paligjshme.
Demokratët në Kongres kishin kërkuar që Mountbatten-Windsor të përgjigjej ndaj pyetjeve si pjesë e hetimit për Epstein që në nëntor. Në atë kohë, Starmer kishte deklaruar se ftesa ishte një çështje “personale” për t’u vendosur nga vetë ai.
Të premten, Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi mbi tre milionë faqe dokumentesh që lidhen me Epstein, gjashtë javë pas afatit të përcaktuar me ligj, të nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Fotografitë e publikuara nuk shoqërohen me kontekst. Në disa prej tyre, Mountbatten-Windsor shihet duke prekur gruan, e cila është plotësisht e veshur, ndërsa në një tjetër ai shikon drejtpërdrejt kamerën. Sipas BBC Verify, ambienti në fotografi përputhet me brendësinë e rezidencës së Epstein në Nju Jork.
Pamjet pritet të rrisin edhe më tej presionin ndaj Mountbatten-Windsor, i cili prej vitesh është nën vëzhgim për miqësinë e tij me Epstein. Ai ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje.
Mountbatten-Windsor, i njohur më parë si Princi Andrew, humbi titujt mbretërorë në tetor, pas rritjes së presionit publik për lidhjet e tij me Epstein.
Dokumentet e publikuara përfshijnë edhe email-e që sugjerojnë se Epstein e kishte ftuar Mountbatten-Windsor për darkë me një grua 26-vjeçare. Në shkëmbimin e mesazheve nga gushti i vitit 2010, Epstein thotë se gruaja do të ishte në Londër, ndërsa Mountbatten-Windsor përgjigjet se do të ishte në Gjenevë, por se do të ishte i lumtur ta takonte.
Epstein përshkruan gruan si “26 vjeçe, ruse, e zgjuar, e bukur dhe e besueshme”. Këto mesazhe janë shkëmbyer dy vjet pasi Epstein kishte pranuar fajësinë për shfrytëzim seksual të një të miture.
Email-et e publikuara nuk tregojnë drejtpërdrejt ndonjë veprim të paligjshëm.
Mountbatten-Windsor ka deklaruar se nuk ka parë apo dyshuar ndonjë sjellje që lidhej me krimet për të cilat Epstein u dënua.